Kronikë

Vrasësi i dyfishtë nga Shqipëria, i shtirur si kosovar, do të deportohet nga Britania

Descriptive Text

Një vrasës i dyfishtë që u largua nga Shqipëria dhe jetoi në Britani për pothuajse 20 vjet, do të deportohet.

Martin Kaza, 45 vjeç, kishte qëlluar për vdekje vëllezërit Dodë dhe Agustin Gjini për “gjakmarrje” gjatë luftës civile në vend.

Kaza iki nga Shqipëria por u dënua në mungesë për vrasje dhe plagosje. Ai e fitoi azilin në Britani më 1999 duke u shtirur si kosovar me një emër tjetër, Naim Karagja, raporton “The Sun”.

Ai u martua dhe ka tre fëmijë në Angli.

Kaza ka punuar në restorante, autolarje, si dhe ndërtimtari derisa i ka rritur fëmijët e tij, të moshave pesë, shtatë dhe 13, pasi është takuar me partneren e tij Majlinda Dule, 32 vjeçe, më 2008, transmeton Koha.net.

Policia arrestoi Kazën, nga Enfield, Londra Veriore, këtë vit pasi Shqipëria kishte lëshuar një urdhër ekstradimi ndaj tij.

Babai i tre fëmijëve përballet me 22 vjet burgim nëse shpallet fajtor në një rigjykim në Shqipëri.

Kaza ka thënë se deportimi i tij pas 18 vjetësh qëndrimi në Britani do të ishte “i padrejtë dhe shtypës” dhe do t’ia shkelte “të drejtën për jetë” dhe ndalimin e torturës të garantuar me të Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ai pretendon të ketë ikur në Greqi për t’i shpëtuar familjes Gjini, familje kjo “e fuqishme dhe me ndikim” pasi ata ia kishin vrarë më 1994 vëllanë, Nduen, me profesion polic.

Kaza thotë të jetë therur me thikë katër herë dhe kishte mbetur në komë pasi ishte deportuar nga Greqia në vendlindje më 1997 – viti i luftës së përgjakshme civile në Shqipëri.

Ai ka dy javë kohë që të apelojë vendimin për deportim, i cili duhet nënshkruar nga Sekretari i Shtetit para se të hyjë në fuqi.

- Por cila është zanafilla e konfliktit mes familjeve Gjini dhe Kaza?

Qyteti i Rrëshenit, më datë 7 janar të vitit 1994 u trondit nga vrasja e Shefit të Krimeve, Ndue Kaza. Ky i fundit u qëllua me armë zjarri në mes të qytetit nga Dod Gjini, i cili u largua nga vendngjarja. Shtypi i shkruar i kohës raportonte se vrasja ndodhi pasi Shefi i Krimeve ndërhyri për të shmangur përshkallëzimin e një konflikti mes dy grupeve rivale.

Por 3 vite më vonë, pa arritur që autorët të arrestohen dhe familjet të pajtohen, në qytetin e Laçit vëllai i Komisarit mori hak, duke vrarë 2 vëllezërit Dod dhe Agustin Gjini. Gazetat raportonin se ngjarja ndodhi mesditën e 3 korrikut të vitit 1997, ku sipas tyre, në atentat kishin marrë pjesë dy persona.

Pas 4 vitesh, Gjykata e Kurbinit shpalli fajtor në mungesë për vrasjen e dyfishtë, Martin Kazën, duke e dënuar me 22 vjet burgim. Që prej asaj kohe, 45 – vjeçari u largua jashtë vendit dhe nuk u kthye më në atdhe.

9 janar 1994- Gazeta Koha Jonë

Mirditë – Vritet Komandanti i Policisë Kriminale

Ditën e premte, rreth orës 18:00 në qytetin e Rrëshenit qëllohet me pistoletë, Komandanti i Policisë Kriminale të rrethit të Mirditës, Ndue Kaza.

Vrasja erdhi si pasojë e grindjes së dy grupeve rivale mirditorësh në qytet. Në zënie e sipër, të dy grupet e të rinjve qëllojnë dhe vritet oficeri në fjalë.

Vrasësi kërkohet nga organet e Rendit të Mirditës, Lezhës dhe Laçit.

4 korrik 1997 – Gazeta Koha Jonë

Laç – Vrasje në mesditë. Hakmarrje për dy vëllezër

Breshëri automatiku në mesin e pazarit të Laçit, dje rreth orës 13:00. Një 23 – vjeçar ka vdekur në vend dhe vëllai i tij 20 – vjeçar është plagosur rëndë, pas këtij atentati në zemër të qytetit.

Ndërkohë që tregtarët kanë lëvizur tezgat dhe janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja.

Arsyet që kanë dërguar në vrasjen dy vëllezërve D.Gjini dhe A.Gjini mendohet të jenë për hakmarrje, pasi D. Gjini para dy vitesh kishte vrarë në Rrëshen Shefin e Krimeve Ndue Kaza, për këtë rreth.

Megjithatë do të jenë organet hetimore që do të vërtetojnë arsyen e vrasjes, ndërkohë që dy atentatorët janë larguar në drejtim të paditur.

Ngjarja ka ndodhur dje, rreth orës 13:00, kur dy vëllezërit Gjini kanë ndaluar pranë Pallatit të Kulturës, Laç me një makinë.

Me të hyrë në pazar, dy të rinj të pajisur me armë automatike, sipas dëshmitarëve okularë kanë qëlluar mbi dy vëllezërit.

Ndërkohë që Doda, 20 – vjeç ka ndërruar jetë në moment, i vëllai i tij 23 – vjeçar Agustini është plagosur rëndë dhe është dërguar urgjent në spitalin e qytetit. Më pas, ai është nisur drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë. (Gazetar: Rafael Demiri)

19 qershor 2001 – Gjykata dënon me 22 vite burg autorin

Gjykata e Kurbinit dënoi në mungesë Martin Z. Kazën me 22 vite burgim, për vrasjen e dy vëllezërve Dod dhe Agustin Gjini, por vendimi nuk u ankimua asnjëherë nga autori i vrasjes, i cili pas krimit ishte larguar nga vendi.

Në vendimin që tvklan.al disponon, gjyqtari Besnik Qira sqaron se një prej dëshmitarëve në gjyq ka rrëfyer se pas vrasjes është porositur nga xhaxhai i autorit, që së bashku me një person tjetër të shkonte në shtëpinë e babait të viktimave dhe t’u çonte fjalë, sipas zakonit dhe kanunit, se: “Vrasjen e Dod e Agustin Gjinit e ka nga neve (nga Kaza), duke porositur që për vonesën e të dërguarit fjalë ishte bërë shkak se nuk kishin qenë në shtëpi Martin e Artan Kaza”.

Një tjetër dëshmitar i plagosur në ngjarjen e ‘97-ës, Besnik Legisi, i shpjegoi gjykatës në atë kohë, se problemi i hasmërisë qëndronte në faktin se Dod Gjini i kishte vrarë të vëllanë Martin Kazës dhe se me qëllim mbylljen e hasmërisë paraditen e ngjarjes është tentuar të realizohet një takim në qytetin e Rrëshenit, por pa sukses.