Kronikë

Policia e Gjermanisë dhe e Kosovës me aksion masiv kundër pastrimit të parave

Foto: Koha

Policia e Kosovës bashkë me Policinë e Gjermanisë kanë nisur një operacion masiv kundër veprës penale “pastrimi i parave”.

Burime të Koha.net kanë thënë se ky operacion masiv u zhvillua në disa qytete të Kosovës, përfshirë Prishtinën e Ferizajn, ku pati edhe bastisje në shumë lokacione.

Ky operacion, sipas burimeve, është duke vazhduar edhe në këto momente. Bëhet e ditur se janë konfiskuar edhe pajisje të ndryshme.

Këtë, e konfirmuan për Koha.net edhe zëdhënësit e Policisë së Kosovës, Baki Kelani e Daut Hoxha.

“Ju konfirmoj se, sot nga ora 11:00, Policia e Republikës së Kosovës, respektivisht Sektori për hetimin financiar në kuadër të Drejtorisë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit, në bashkëpunim me Policinë e shtetit të Gjermanisë, kanë në proces të realizimit një operacion të përbashkët, nën mbikëqyrje nga një prokuror special vendas dhe një prokuror gjerman, i cili operacion ka për qëllim gjetjen e dëshmive me qëllim të vërtetimit të veprës penale që ndërlidhet me "Pastrim të parave", tha Hoxha për Koha.net.

Ndërkaq, Kelani ka shtuar se operacioni i referohet zbatimit të urdhëresës së lëshuar nga gjykata kompetente për kontroll/bastisje në gjashtë lokacione në dy qytete, në Prishtinë dhe Ferizaj dhe pas përfundimit, thotë se Policia do njoftoj për rezultatin.