Kronikë

Një muaj paraburgim të pandehurit që tentoi të vriste gruan me të cilën bashkëjetonte

Foto: Koha / ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar një muaj paraburgim për G.M. me dyshimin se ka tentuar ta vriste gruan me të cilën bashkëjetonte A.A., bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Gjykata ka marrë aktvendim dhe të pandehurit G.M. i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Tutje thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri G.M. më datë 16.06.2019 në shtëpinë e tij, me qëllim që ta privojë nga jeta të dëmtuarën A.A. me të cilën bashkëjeton, kishte shtënë në drejtim të saj me armë zjarri. I pandehuri pas gjysmë ore e kishte dërguar të dëmtuarën në Spitalin Amerikan në Prishtinë duke mos e njoftuar policinë.

“Gjykata ka konstatuar se ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, ngase nëse i pandehuri gjendet në liri do të mund të pengonte rrjedhën e procedurës penale duke fshehur, ndryshuar ose falsifikuar provat e veprës penale si dhe duke ndikuar në të dëmtuarën dhe në dëshmitarë të rastit. Duke u bazuar në mënyrën dhe rrethanat në të cilën është kryer vepra penale, peshën e veprës penale, karakteristikat personale të pandehurit dhe sjelljet e tij të mëparshme, nëse i pandehuri qëndron në liri do të mund të përsërisë veprën penale”, thuhet në komunikatë.

Kundër këtij vendimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.