Kronikë

22 aktakuza ndaj 31 personave, ndalohen 21

Descriptive Text

Prokurori i Shtetit përmes një komunikate për media bën të ditur se gjatë 24 orëve të fundit prokuroritë themelore kanë ngritur 22 aktakuza kundër 31 personave për vepra të ndryshme penale, si dhe, me urdhër të prokurorit të shtetit janë ndaluar 21 persona për vepra të ndryshme penale.

“Prokurori i shtetit ka bërë dy (2) kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy (2) personave, një bastisje dhe një kërkesë për sekuestrim të sendeve që janë në dobi pasurore të fituara nga vepra penale, me vlerë prej 583.30 euro, si dhe, narkotikë i llojit marihuanë me peshë 3.13 gram”, thuhet në komunikatë.

Kurse Prokuroria Themelore në Prishtinë gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit kujdestar, ka ndaluar një (1) person. Po ashtu, kjo prokurori ka ngritur dy (2) aktakuza për vepra të ndryshme penale, si dhe, ka ushtruar një kërkesë për bastisje në komunën e Lipjanit, transmeton Koha.net.

Në Prokurorinë Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, është ngritur një (1) aktakuzë kundër një (1) personi për veprën penale “Vjedhja e shërbimeve” sipas KPRK-së.

Prokuroria Themelore e Pejës, gjatë 24 orëve të fundit janë ndaluar 8 (tetë) persona nga prokuroret kujdestar për vepra të ndryshme penale.

Në Departamentin e Krimeve të Rënda janë ndaluar tre persona me aktvendim të prokurorit të shtetit, dy prej tyre të dyshuar për veprën penale “Rrëmbimi”, kurse një person për veprën penale “Mashtrimi”, si dhe, ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një të mituri.

Gjithashtu kjo prokurori, gjatë 24 orëve të fundit ka ngritur 6 aktakuza, kundër 8 të pandehurve për vepra të ndryshme penale .

Prokuroria Themelore në Gjilan, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar tre (3) persona, në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe ka paraqitur një (1) kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, në Gjykatën kompetente në Gjilan, ndaj një (1) personi, me dyshimin se ka kryer veprat penale ‘’Pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare’’ dhe ‘’Kanosje’’.

Prokuroria Themelore në Gjakovë njofton opinionin se për 24 orët e fundit ka ndaluar 6 persona për 48 orë, 2 persona për veprën penale “ Sulmi”, dhe 4 persona janë ndaluar për veprën penale ”lëndim i lehtë trupor”, gjithashtu janë ngritur 6 aktakuza kundër 6 personave, për vepra të ndryshme penale.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë gjatë 24 orëve të fundit ka ngritur gjashtë (6) aktakuza kundër trembëdhjetë (13) personave, si dhe, ka ndaluar një (1) person.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjatë 24 orëve të fundit ka ndaluar dy (2) persona për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”. Po ashtu, kjo prokurori, ka ngritur një aktakuzë kundër një personi nga neni 329/1, si dhe, ka bërë një kërkesë për sekuestrim të sendeve që janë në dobi pasurore të fituara nga vepra penale, me vlerë prej 583.30 euro, narkotikë i llojit marihuanë me peshë 3.13 gram.