Kronikë

Dy të akuzuarve në rastin e Enver Hasanit u ashpërsohen dënimet

Foto: Driton Paçarada / Koha Ditore

Gjykata e Apelit e Kosovës ka vendosur sipas ankesave, në çështjen e të akuzuarve H.V. (Hakif Veliu) dhe A.R. (Albert Rakipi).

Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 18.10.2017, është ndryshuar sa i përket vendimit mbi dënim.

“Dy të akuzuarit, për veprën penale ‘Mashtrimi në detyrë’, sipas nenit 341 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, janë dënuar më nga një vit burgim efektiv, nga ana e kësaj gjykate, ndryshe nga gjykata e shkallës së parë, që për të njëjtën vepër, ata i pati gjykuar me nga gjashtë muaj burgim, duke ua zëvendësuar me nga dhjetëmijë euro gjobë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës.

Kujtojmë se ky është vendimi i dytë i Gjykatës së Apelit për këtë çështje. Herën e parë, në maj të vitit të kaluar, gjykata e shkalles se dytë, i gjeti fajtorë të akuzuarit Veliun dhe Rakipin, ndërsa të akuzuarin E.H. (Enver Hasani), e liroi nga akuza.

Gjykata Supreme, në tetor të vitit 2018, e ktheu rastin në rigjykim në Gjykatën e Apelit, pasi që miratoi kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të Hakif Veliut dhe Albert Rakipit.

Më te njëjtin vendim, supremja e kishte refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të Prokurorit të Shtetit, në raport më të akuzuarin Enver Hasani.

Ish – rektori dhe ish- kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, dhe dy të tjerët, Hakif Veliu, ish - shef i zyrës së prokurimit në Universitetin e Prishtinës dhe Albert Rakipi, drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare nga Tirana, akuzoheshin për falsifikim të kontratës për përkthimin e librave në gjuhën shqipe dhe për këtë Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë për veprën penale “Mashtrimi në detyrë”.