Kronikë

Policia konfirmon nisjen e hetimeve për sulmin ndaj gruas rome në Lipjan

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media bën të ditur se ka nisur hetimet për sulmin që i ishte bërë dje një gruaje rome në Lipjan.

“Me datën 29/05/2019 rreth orës 17:20, Policia e Kosovës ka pranuar një informacion se në sheshin ‘Adem Jashari’ të Lipjanit nga disa të rinj (të mitur) po sulmohet një femër. Njësiti patrullues menjëherë ka ndërmarrë veprimet policore në terren për të parandaluar rastin e sulmit dhe me të arritur në vendin e ngjarjes ka takuar viktimën e cila dyshohet se ka qenë cak i sulmit nga disa persona të moshës së mitur”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Zyrtarët policorë kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me rastin, duke përfshirë identifikimin e viktimës f/rome/kosovare, viti i lindjes (1990) nga Podujeva, e cila nuk komunikonte në gjuhën shqipe.

Disa të rinj në Lipjan sulmojnë gruan rome, njëri e rrëzon përtokë me grusht pas koke

Policia e Kosovës në lidhje me këtë rast ka kontaktuar prokurorin kujdestar, me urdhër të të cilit është iniciuar rasti ‘sulm’, për të cilin janë duke vazhduar hetimet intensive, drejt zbardhjes së rastit dhe arrestimit të personit/ave të dyshuar.

“Bazuar në hetimet e deritanishme, dyshohet se viktima është sulmuar nga personi/at e dyshuar, pasi që e njëjta (viktima) ka qenë e publikuar dhe e komentuar në forma të ndryshme në rrjetet sociale dhe media, kinse si person i dyshuar për vjedhje apo grabitje të mundshme të fëmijëve”, thuhet në komunikatë.

Lidhur me personin në fjalë Policia e Kosovës e ka bërë publike lajmin edhe dje (29.05.2019), se personi i apostrofuar në media është ndaluar dhe verifikuar disa herë dhe ka sqaruar se e njëjta nuk është e përfshirë në asnjë rast të kësaj natyre, nuk paraqet rrezik për askënd dhe se nuk ka pasur asnjë viktimë të raportimit të ndonjë rasti të tillë ndaj saj.

Andaj, Policia e Kosovës njofton të gjithë qytetarët dhe mediat se është duke e trajtuar këtë rast lidhur me personin në fjalë, për të cilin janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore konform autorizimeve ligjore, me qëllim të parandalimit të incidenteve të tilla dhe krijimit të lirisë së lëvizjes së lirë për të gjithë qytetarët pa dallime.