Kronikë

Kapen dy persona duke vjedhur një lokal në Fushë Kosovë, njëri plagoset nga policia

Foto: Ilustrim

Një person ka mbetur i plagosur nga policia, mëngjesin e hershëm të së hënës, pas u kap në flagrancë bashkë me një person tjetër duke vjedhur një lokal në Fushë Kosovë

Ngjarja ka ndodhur në rrugën e Pejës në Fushë Kosovë, ndërkaq me të marrë informacionin, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në flagrancë ka hasur dy persona të dyshuar, të cilët ishin futur në lokal dhe po kryenin një vjedhje.

Sipas njoftimit, personat e dyshuar në përpjekje për t’ju shmangur arrestit, kanë filluar të sulmojnë zyrtarët policor me mjete të rrezikshme, sopat dhe çekan.

“Duke marrë në konsideratë faktin se veprimet e të dyshuarve përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë, të rrezikshëm për jetën e tyre, edhe pse fillimisht zyrtarët policor kanë përdorur taktika dhe metoda për t’ju shmangur rrezikut, njëri nga zyrtarët policor është detyruar që në vetëmbrojtje, të përdor armën zyrtare, me qëllim të neutralizimit të veprimeve të tilla të rrezikshme të të dyshuarve, si dhe për t’i vënë të njëjtit nën kontroll”, thuhet në njoftim.

Në këtë rast lëndime trupore nga arma e zjarrit ka marrë i dyshuari, A. M, mashkull, 25 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës.

Të njëjtit fillimisht, nga policët, i është dhënë ndihma e parë në vendngjarje dhe pastaj është dërguar për tretman mjekësor në QKUK, ndërkohë që i dyshuari tjetër i njohur për policinë ka arrit, që të largohet nga vendi i ngjarjes.

Aktualisht nga policia në bashkëpunim me organet e drejtësisë, po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme policore rreth këtij rasti, njëkohësisht është zgjeruar rrethi i hetimit edhe për disa raste të tjera për të cilat ekziston dyshimi i arsyeshëm se personat e njëjtë mund të jenë të implikuar.