Kronikë

Prokuroria e Gjilanit kërkon paraburgim për pesë persona për posedim të lëndëve narkotike

Prokuroria Themelore e Gjilanit ka kërkuar nga Gjykata të caktojë masën e paraburgimit për pesë persona të cilët dyshohen për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të substancave narkotike

Prokuroria Themelore në Gjilan, gjatë ditës së shtunë rreth orës 20:30 minuta, ka ndaluar pesë persona, në mesin e tyre dhe një i mitur, për shkak të dyshimit se tek të njëjtit janë gjetur 1095.7 gram narkotikë të llojit ‘’Marihuanë’’.

Sipas njoftimit, ekziston dyshimi i bazuar se, të dyshuarit B.H., H.K., F.SH., M.A., dhe i mituri L.A., më 18 maj 2019, rreth orës 20:30 minuta, në lagjen ‘’Muharrem Ibrahimi’’, në Gjilan, pa autorizim dhe me qëllim të shitjes apo shpërndarjes kanë poseduar narkotikë, me ç’rast gjatë kontrollimit, në automjetin e tyre, të cilin e drejtonte i mituri L.A., janë gjetur 1095.7 gram narkotikë, e llojit ‘’Marihuanë’’, e cila edhe është konfiskuar nga ana e policisë.