Kronikë

Dyshohen për mashtrim të agjencioneve turistike dhe shumë personave, arrestohen dy persona

Foto: Driton Paçarada / Koha / ilustrim

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona nën dyshimin se të njëjtit kishin mashtruar Agjenci Turistike dhe shumë persona.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, konkretisht Njësia e Hetimeve Financiare pas hetimeve disa mujore nën dyshimin e bazuar për veprën penale ‘Mashtrim’, me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë ka aplikuar masat e fshehta të hetimit me ç’rast ka bërë mbledhjen e mjaftueshme të provave të cilat ndërlidhen me veprën penale të lartcekur.

Sipas njoftimit, lidhur me rastin, me datë 26.04.2019 është zhvilluar plani operativ Avio-Biletat me ç’rast janë kontrolluar katër lokacione, në rajonet Prishtinë, Pejë dhe Gjakovë, në mesin e tyre tri agjencione turistike si dhe një banesë.

Gjatë kontrollimit është bërë arrestimi i dy personave R.I 28 vjeç dhe A.D 23-vjeçar, të dyshuar të përfshirë në këtë rast si dhe është bërë konfiskimi i tri shtëpizave të kompjuterëve, tre telefonave mobil, dhe disa dokumenteve të cilat ndërlidhen me rastin.

Si pasojë e veprimeve të të dyshuarve dyshohet se janë dëmtuar disa Agjencione Turistike dhe rreth 27 qytetarë nga regjionet e ndryshme të Kosovës si dhe nga diaspora. Policia ka bërë thirrje për qytetarët që janë të mashtruar nga këta të dy persona të paraqiten në polici.