Kronikë

Vidhen 125 euro në arkën e një xhamie në Gjilan

Prokuroria Themelore në Gjilan, dje rreth orës 17 , ka ndaluar të dyshuarin E.SH., për 48 orë, pasi dyshohet se ka vjedhur para në një xhami në Gjilan.

Ekziston dyshimi i bazuar se, gjatë ditës së djeshme, më 18 prill rreth orës 17, i dyshuari E.SH. (1989), kishte hyrë brenda xhamisë, në lagjen ‘’Dheu i Bardhë’’, në Gjilan, me ç’ rast nga arka e xhamisë, duke përdorur një mjet prej fije teli, kishte arritur të nxjerrë 125 euro.

Të dyshuarin, gjatë kryerjes së kësaj vepre penale, e kishte vërejtur një person që kishte qenë në katin e dytë të xhamisë, i cili menjëherë e kishte lajmëruar imamin e kësaj xhamie.

Prokurori kujdestar, në Prokurorinë Themelore në Gjilan, sot, ndaj të dyshuarit do të paraqesë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, në kohëzgjatje prej 30 ditësh, në Gjykatën Themelore në Gjilan.