Kronikë

Një i vdekur nga aksidenti në Celinë të Rahovecit

Foto: Koha

Një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë lënduar, dy prej tyre më rëndë, si pasojë e një aksidenti të komunikacionit që ka ndodhur sonte rreth orës 21:15, afër fshatit Celinë të Komunës së Rahovecit.

Drejtori rajonal i policisë në Gjakovë, Ahmet Hasi, ka bërë të ditur përmes telefonit për KosovaPress se aksidenti ka ndodhur ndërmjet dy automjeteve, ku në vendin e ngjarjes ka mbetur një i vdekur, derisa personat e lënduar janë dërguar në emergjencën në Gjakovë.

“Aksidenti ka ndodhur para një ore në afërsi të Celinës, në të cilën janë përfshirë dy automjete. Janë një i vdekur dhe katër të lënduar, dy prej tyre në gjendje më të rëndë”, ka thënë Hasi.

Personat e lënduarit janë nxjerrë nga veturat me ndihmën e zjarrfikësve për shkak të dëmit të madh të shkaktuar në vetura si pasojë e ndeshjes.

Sipas dyshimeve të para, shkak i aksidentit mund të ketë qenë tejkalimi i shpejtësisë në rrugë.