Kronikë

Mbi 700 vjedhje për dy muaj në Kosovë

Gjatë vitit 2018, Policia e Kosovës ka evidentuar mbi pesë mijë raste të vjedhjeve, të cilat kanë ndodhur në pronat e qytetarëve, qofshin ato në shtëpi banimi, dyqane apo vetura.

Derisa, vetëm në dymujorin e parë të këtij viti janë evidentuar mbi 700 raste të vjedhjeve.

Rajonet ku kanë ndodhur këto raste të vjedhjeve, sipas Policisë Kosovës, më shumë janë qendrat më të mëdha, derisa si qytet, dukshëm më shumë raste kanë ndodhur në Prishtinë.

Policia e Kosovës gjatë vitit 2018, nën dyshimin për përfshirje në veprimtari të ndaluara, ka arrestuar 15, 481 të dyshuar.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka thënë se rastet e vjedhjeve kanë shënuar rënie përgjatë viteve, megjithatë mbetet shqetësuese si dukuri.

Hoxha shton se Policia e Kosovë ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme, duke përfshirë edhe sjelljen e kryesve të këtyre akteve të vjedhjes para organeve të drejtësisë.

“Në Kosovë, sikundër edhe në vendet tjera, ndodhin akte të ndryshme, kryhen aktivitete të ndryshme penale. Kështu gjatë vitit 2018 janë evidentuar mbi pesë mijë vjedhje. Derisa për këtë vit, duke ju referuar të dhënave në sistemin informativ të Policisë për dymujorin e parë në nivel të Kosovës janë: evidentuar 724 vjedhje të kryera, 74 në tentativë. Këto akte, nuk është e mundur të zhduken, nuk ka asnjë vend në jetën bashkëkohore që ka eliminuar në tërësi kriminalitetin. Policia e Kosovës me aktivitetet e saja synon reduktimin e secilës nga këto veprimtari të paligjshme. Krahasuar periudhën e viteve 2013-2015 me trevjeçarin 2016-2018, vjedhjet kanë shënuar ulje për 21 për qind”, thotë Hoxha.

Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, një polic ishte vrarë në detyrë, përderisa po përpiqej të kapte një të dyshuar për grabitje në një bankë në qytetin e Istogut, ku më pas, i vrarë mbeti edhe personi i dyshuar për plaçkitje.

Ndërkaq, në fillim të këtij viti, në periferi të Prishtinës, policia kishte konfirmuar se një person kishte mbetur i vrarë përderisa po përpiqej të plaçkiste një shtëpi private.

Avni Islami, ekspert i fushës së sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se janë mjaft shqetësuese rastet e vjedhjeve në formë të armatosur. Ai thotë se kjo formë e vjedhjes ka shënuar rritje në Kosovë.

“Vjedhjet në Kosovë si fenomen, me theks të veçantë u bënë në vitin që lëmë pas, por edhe këtë vit pavarësisht më një trend më të ulët, por mënyra e kryerjes së tyre me atë të armëve të zjarrit po karakterizohet, e që kjo formë e vjedhjeve nuk ka qenë më parë në këtë nivel. Pra, pavarësisht numrit të rënies së vjedhjeve, rrezikshmëria e grupeve të armatosura që po kryejnë vjedhje apo plaçkitje me armë të zjarrit po vazhdon dhe kjo është shqetësuese për qytetarët”, thekson ai.

Për qytetarët vjedhjen janë bërë një dukuri shqetësuese në lagjet ku ata jetojnë. Dardan Syla, qytetar, i cili banon në një lagje të Prishtinës, thotë se nuk ndihet edhe aq i sigurt.

“Po ka pasur disa raste në lagjen time kur janë kryer vjedhje nga persona të cilët asnjëherë nuk janë identifikuar nga Policia. Të frikëson ky fakt kur dëgjon se fqinjit i është thyer banesa apo lokali dhe i janë vjedhur gjërat. Mua nuk më ka ndodhur një gjë e tillë, por që më frikëson sa herë që e mbyll banesën dhe shkoj në punë apo diku tjetër”, thotë ai.

Sipas Kodit Penal të Republikës se Kosovës, vjedhje klasifikohet vepra kur një personi tjetër i merret pasuria, e cila vlerësohet në shumën prej pesëdhjetë eurosh e më shumë, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete apo për personin tjetër.

Personat që kryejnë vjedhje apo grabitje me përdorim të forcës apo kanosje serioze për personin tjetër, me qëllim të përvetësimit të pasurisë së luajtshme, dënohen me burgim nga tre deri në 12 vjet.