Kronikë

Vëllezërit Hasani e akuzojnë kryetarin Ramosaj për sulm, ky e mohon

Versione të ndryshme kanë dhënë personat e përfshirë në incidentin e së mërkurës mbrëma në Deçan.

Vëllezërit Shefqet e Shkëlzen Hasani, të cilët janë pronarë të një dyqani në qendër të kësaj qyteze, i cili u rrënua ditë më parë nga Komuna, thonë se kryetari Bashkim Ramosaj, bashkë me vëllanë e tij dhe me disa shokë, kanë përdorur dhunë fizike.

Sipas Shkëlzenit, ata e kanë goditur disa herë në fytyrë dhe kokë, derisa i ka humbur ndjenjat, raporto KTV.

Por, kryetari Bashkim Ramosaj, i ka mohuar këto pretendime duke thënë që ata njihen mes vete dhe se ka qenë vetëm konflikt verbal.

Ramosaj ka shtuar që njëri nga vëllezërit ka qenë i dehur dhe i ka provokuar me fjalë, por, sipas tij, ka qenë pronari i lokalit ai që ka ndërhyrë dhe ka qetësuar situatën.

Pronari i lokalit ku ka ndodhur incidenti nuk ka pranuar të flasë, përderisa Ramosaj ka mohuar të ketë pasur përleshje fizike. Shkodran Nikçi nga Prokuroria Themelore e Pejës ka thënë se dy persona janë ndaluar për shkaktim të lëndimeve trupore.

Komuna e Deçanit, të martën ka rrënuar disa lokale të Qendrës Zejtare në qendër të qytetit.

Por, pronarët e lokaleve të shpronësuara ende nuk kanë marrë kompensimin nga shteti, derisa disa prej këtyre lëndëve gjenden në gjykatë, por Komuna nuk i ka marrë parasysh këto rrethana.