Kronikë

Rrah gruan në prani të vajzës, dënohet me mbi 3 vjet burg

Foto: Ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka dënuar me 3 vjet e pesë muaj burgim të akuzuarin B.B., për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Kanosje”.

“Gjykata ka konstatuar, se me datë 27 qershor 2018 rreth orës 23:00, në Prishtinë, i akuzuari B.B pasi që e kishte kthyer vajzën e tyre të përbashkët tek e dëmtuara SH.A, në prezencë të vajzës së tyre i kishte kërkuar të dëmtuarës që të hyjë në veturë, ku pasi e dëmtuara kishte refuzuar, i njëjti kishte dalë nga vetura, e kishte kapur dhe tërhequr zvarrë për flokësh dhe duke e goditur kishte arritur që ta fuste në veturë, të cilën pastaj e kishte dërguar në një rrugicë në lagjen ‘Dragodan’, ku e kishte kanosur me fjalët ‘ose do të jetojmë që të tre ose do të vdesim’ dhe si rrjedhojë e goditjeve dhe tërheqjes zvarrë nga i akuzuari, e dëmtuara kishte pasuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin”, thuhet në njoftim.

E dëmtuara SH.A për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohet në kontest juridiko-civil.

Të akuzuarit B.B me aktvendim të veçantë i vazhdohet paraburgimi deri në plotfuqishmëri të këtij aktgjykimi.

Ky rast ka qenë i kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit të Kosovës.