Kronikë

Kthehet në rivendosje lirimi nga paraburgimi i shoferit që goditi për vdekje dy gra

Foto: Ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë do të rivendosë nëse lirimi nga paraburgimi i personit L.M., që kishte aksidentuar për vdekje dy gra muaj me parë, është i bazuar.

Pas ankesës se prokurorit të rastit për vendimin që L.M. të mbrohet në liri deri në vendim të plotfuqishëm të gjykatës për këtë rast, Gjykata e Apelit ka gjetur shkelje në lidhje me mënyrën se si është marrë vendimi.

3 vjet e 6 muaj burgim personit që goditi me veturë për vdekje dy gra në rrugën “B”

“Rasti është kthyer në rivendosje vetëm sa i përket vendimit mbi lirimin nga paraburgimi ndërsa sa i përket aktgjykimit ankesa kundër tij nuk ka ardhur ende”, ka qenë përgjigja e Gjykatës se Apelit për Kohën Ditore.

L.M. ishte dënuar edhe me tre vjet e gjysmë burgim.

Apeli përmes një komunikate ka dhënë më shumë detaje për vendimin:

Gjykata e Apelit e Kosovës e ka aprovuar ankesën e prokurorisë, kundër vendimit mbi ndërprerjen e paraburgimit, ndaj të pandehurit L.M.

Ky i fundit u shpall fajtor ditë më parë nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë, për veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”, nga neni 378 paragrafi 9 lidhur me paragrafin 6 e 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, për çka u dënua me 3 vjet e 6 muaj burgim, vendim ky që nuk do të ekzekutohet deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Po të njëjtën ditë, me anë të një aktvendimi të posaçëm, të akuzuarit iu ndërpre masa e paraburgimit, kurse kundër ndërprerjes së kësaj mase ushtroi ankesë prokuroria.

Gjykata e Apelit konsideron se ankesa e prokurorisë është e bazuar dhe se vendimi i gjykatës së shkallës së parë P.nr.87/2019 duhet anuluar, dhe i njëjti t’i kthehet asaj në rivendosje.

Gjykata e Apelit vlerëson se arsyetimi i dhënë nuk mundi ta bind këtë gjykatë, se me të vërtetë si i tillë është i mjaftueshëm dhe bindës dhe konform dispozitave ligjore, për ndërprerjen e paraburgimit ndaj të pandehurit në fjalë, ngase sipas vlerësimit të Kolegjit, arsyetimi është jo i plotë, i mangët.

Deri në një vendim të ri nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë, i akuzuari mbetet në liri.

Gjykata e Apelit akoma nuk ka pranuar ankesë kundër aktgjykimit me anë të cilit, i pandehuri është dënuar për veprën penale në fjalë. Sapo të pranojë do të vendosë brenda një afati të arsyeshëm.