Kronikë

Vodhi 200 litra naftë, u dënua me 1 vjet burgim – aksidentoi për vdekje dy gra, u dënua me 3.5 vjet burgim

Descriptive Text

Një burrë në Prizren është dënuar me një vit burgim, e është gjobitur me 500 euro për vjedhjen e 200 litrave të naftës.

Kurse dje, një burrë në Prishtinë është dënuar me 3 vjet e gjysmë pasi aksidentoi për vdekje dy këmbësore. 

Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Përgjithshëm Penal, konfirmon se, “të akuzuarin me iniciale P.P., nga fshati Velezhë, Komuna e Prizrenit gjykata e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me dënimin me gjobë në shumën prej 500.00 (pesëqind) euro, si dhe dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) viti”.

“Me datën 08.08.2017, gjatë orëve të natës në fshatin Piranë, përball marketit ‘Agro Drinia’,me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete, merr pasurinë e të dëmtuarit me iniciale H.L., në atë mënyrë që shfrytëzon momentin e volitshëm, orët e vona të natës dhe nga rezervuari i kamionit të tipit ‘Man’, pronë e të dëmtuarit merr 200 litra naftë, dhe largohet nga vendi i ngjarjes”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq, një ditë më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë - Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale, ka shpallur fajtor të akuzuarin L.M. për aksidentin ku mbetën të vdekura dy gra në Prishtinë.

Ai u dënua me burgim në kohëzgjatje prej 3 vjet e 6 muaj për veprën penale ‘Rrezikim i trafikut publik”.

“Të akuzuarit në dënimin e shqiptuar do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 22.10.2018 e deri më tani, ndërsa i ndërpritet masa e paraburgimit dhe i njëjti lirohet që të mbrohet në liri nga data 04.03.2019”, thuhej në komunikatën e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

I akuzuari L.M, thuhej tutje, është akuzuar nga Prokuroria pasi që me datë 22.10.2018, rreth orës 16:10, në Rrugën B – afër “Royal Mall” në Prishtinë, duke drejtuar veturën e tij të tipit “BMW”, kishte shkelur Ligjin mbi trafikun publik dhe kishte vënë në rrezik jetën e njerëzve nga pakujdesia, në atë mënyrë që, duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes dhe duke mos u dhënë përparësi kalimi këmbësorëve në vendkalimin për këmbësor, i kishte goditur këmbësoret L.A dhe F.R e si pasojë e lëndimeve të marra, viktimat kishin ndërruar jetë në QKUK.