Kronikë

Vodhi 200 litra naftë, dënohet me 1 vjet burgim e 500 euro gjobë

Një burrë në Prizren është dënuar me një vit burgim, e është gjobitur me 500 euro për vjedhjen e 200 litrave të naftës.

“Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Përgjithshëm Penal ka bërë shpalljen e aktgjykimit dënues ndaj të akuzuarit me iniciale P.P. nga fshati Velezhë, Komuna e Prizrenit, për shkak të veprës penale vjedhje nga neni 325 para.1. të KPRK-së”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Gjykata konfirmon më tutje se, “të akuzuarin me iniciale P.P., nga fshati Velezhë, Komuna e Prizrenit gjykata e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me dënimin me gjobë në shumën prej 500.00 (pesëqind) euro, si dhe dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) viti”.

“Me datën 08.08.2017, gjatë orëve të natës në fshatin Piranë, përball marketit “Agro Drinia”,me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete, merr pasurinë e të dëmtuarit me iniciale H.L., në atë mënyrë që shfrytëzon momentin e volitshëm, orët e vona të natës dhe nga rezervuari i kamionit të tipit “Man”, pronë e të dëmtuarit merr 200 litra naftë, dhe largohet nga vendi i ngjarjes”, thuhet në komunikatë.