Kronikë

Një muaj paraburgim për avokatin Halilaj për “keqpërdorim seksual” të vajzës nga Drenasi

Është caktuar një muaj paraburgim për avokatin Gazmend Halilaj për veprën penale “keqpërdorim seksual” në rastin e Drenasit.

“Gjykata Themelore në Prishtinë - Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit G.H. për shkak të veprave penale Keqpërdorimi seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin nga neni 239 par.1 nën paragrafi 1.3 i KPRK-së, Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1 i KPRK-së dhe Frikësimi gjatë procedurës penale nga neni 395 i KPRK-së”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Gjykata ka marrë aktvendim dhe të pandehurit G.H. i është caktuar masa e paraburgimit prej datës 27.02.2019 deri me datë 27.03.2019.

Arrestohet avokati Halilaj për rastin në Drenas

Gjykata ka konstatuar se lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë është përmbushur kriteri nga neni 187 par.1 nënpar.1.2 pika 1.2.2. të KPRK-së, si kusht i veçantë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit G.H pasi që ka arsye për të besuar dhe ekzistojnë rrethana të posaçme që i pandehuri do të pengojë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në të dëmtuarën A.G dhe se masa e paraburgimit është e vetmja masë për të siguruar zhvillimin e pa penguar të procedurës penale.

Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri G.H. duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka keqpërdorur pozitën, autoritetin dhe profesionin e tij si avokat.

Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.