Kronikë

Kthehet në ri-gjykim çështja kundër 4 të akuzuarve për vrasje të rëndë në bashkëkryerje

Gjykata e Apelit ka kthyer në rigjykim çështjen kundër të akuzuarve A.A., M.A., Sh.A. dhe Xh.A.

Të gjithë këta ishin shpallur fajtorë nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë me 14.10.2015, për veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje” nga neni 147 par.1 i Kodit Penal të Kosovës, dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim, apo shfrytëzim të pa autorizuar të armëve” nga neni 328 i këtij kodit.

I akuzuari i parë, A.A. ka qenë shpallur fajtor edhe për “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” nga neni 291 i të njëjtit ligj.

“Për vrasjen e shtetasit R.D. që kishte ndodhur gjatë viti 2012 në Gadime të Lipjanit, A.A. ishte dënuar me 19 vjet burgim, M.A. me 14, Sh.A. me 5, po kaq sa edhe i akuzuari Xh.A. Gjykata e Apelit, pasi ka vlerësuar pretendimet e avokatëve mbrojtës por edhe sipas detyrës zyrtare ka gjetur se aktgjykimi i ankimuar përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, sikur që është tejkalimi i aktakuzës nga neni 384 paragrafi 1, nën paragrafi 10 i Kodit të Procedurës Penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës.

Po ashtu, sipas Apelit, gjykata e shkallës se parë ka shkelur dispozitat e procedurës penale edhe kur të akuzuarit i ka shpallur fajtor secilin veç e veç për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim dhe shfrytëzim të pa autorizuar të armëve”, ndonëse prokurori kishte hequr dorë nga ndjekja penale për veprën në fjalë, në fjalën hyrëse.

“Prandaj aktgjykimi i shkallës se parë domosdoshmërish është dashur të anulohet”, ka thënë në fund Gjykata e Apelit të Kosovës.