Si i theri foshnjat binjake babai nga Shtërpca

21 shkurt 2017 19:23

Dy foshnja, binjakë nga vetëm 40 ditë, janë therur në Shtërpcë, raporton KTV.

Njëra prej foshnjave ka vdekur, derisa tjetra është dërguar në qendrën klinike në Nish e binjakët i ka sulmuar për motive deri tash të paqarta babai i tyre.

Dejan Krstiçiq, 35-vjeçar, arsimtar i edukatës fizike në shkollën e mesme të Shtërpcës, dyshohet se theri me thikë binjakët djem, njoftoi Policia e Kosovës.

Policia menjëherë kishte dalë në vend të ngjarjes dhe arrestoi të dyshuarin, të cilit i është caktuar masa prej 48 orëve e paraburgimit.

Mjeti i ftohtë, me të cilën u krye vrasja dhe tentim-vrasja, është konfiskuar nga policia. Dragolub Zhivanoviq, ndihmës i drejtorit për kirurgji të fëmijëve dhe ortopedi në Spitalin e Nishit, ka thënë se foshnja e cila u mbijetoi plagëve më të arritur në spital është operuar dhe gjendja e saj është stabile. Ai konfirmoi se fjala është për një djalë 40 ditësh, i cili në spital erdhi me plagë në stomak e qafë. Foshnja e dytë, e cila nuk mbijetoi, ishte therur në pjesën e qafës, derisa vdiq në rrugën nga Shtërpca në Graçanicë.

Incidenti, sipas Dragan Ivankoviqit, komandant i policisë në Shtërpcë, ndodhi pasi Krstiçiq u grind me bashkëshorten.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme