Kronikë

Dënohet me 25 vjet burgim pasi vrau të birin për 1500 euro

Foto: Ilustrim

Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallë aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit G. B., duke i shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej njëzet e pesë (25) vite burgim, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“I akuzuari me datë 23.05.2018 në fshatin Karaçevë e Poshtme, Komuna e Kamenicës, me dashje eventuale ka privuar nga jeta në mënyrë mizore, djalin e tij, tani të ndjerin L. B. të moshës 14 vjeçare. Fillimisht ai ka kërkuar nga i njëjti sqarime lidhur me mungesën e të hollave në vlerë prej 1.500 euro dhe pasi që nuk ka marr një përgjigje nga ai, i njëjti ka filluar të përdorë forcën ndaj tij, duke e goditur së pari me një shufër metalike e më pas edhe me një shkop druri në kokë dhe pjesë të tjera të trupit, duke i shkaktuar me këtë rast plagë vdekjeprurëse”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Në Karaçevë të poshtme babai rrah fëmijën 14 vjeçar deri në vdekje

Me këto veprime i akuzuari ka kryer veprën penale vrasje e rëndë nga neni 179 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1, 1.3 dhe 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Trupi gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda, me një aktvendim të posaçëm ka vazhduar masën e paraburgimit për të akuzuarin.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.