Kronikë

Aktakuzë për tentim vrasjen e tre personave në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave të cilët dyshohet se kanë tentuar t’i vrasin tre persona tjerë në lagjen “Kurillë” të këtij qyteti.

“Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër personave me inicialet K.S., D.S., M.B., S.K., dhe E.E., për veprat penale: Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë; Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm; Mbajtja në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve; Vrasje e rëndë në ndihmë e mbetur në tentativë dhe Moslajmërimi i veprave penale apo i kryerësve”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prizren.

Sipas aktakuzës, me datë 19 shtator 2018 rreth orës 22:20 minuta, në Prizren në lagjen “Kurillë” i akuzuari K.S., duke qenë në shoqëri me të pandehurit tjerë D.S., M.B., S.K. dhe E.E., tenton të privojë nga jeta personat tjerë, gjegjësisht të dëmtuarit M.B., M.B. dhe Q.G., në atë mënyrë që në natën kritike me automjetin “Opel Vectra”të cilin ka qenë duke e drejtuar i akuzuari D.S., kur mbërrijnë në rrugën “Agim Shala”, pasi që e vërejnë se në drejtim të tyre është duke ardhur automjeti i markës “Audi”.

“Duke manovruar me automjet u dalin përpara të dëmtuarve dhe i detyrojnë të ngadalësojnë automjetin, dhe në këtë mënyrë dalin nga automjeti dhe me pushkën e tipit “Kallashnikov”, i akuzuari K.S., gjuan në drejtim të automjetit të të dëmtuarve, me ç’rast një predhë e godet frigoriferin dhe xhamat e vitrinës së një lokali në afërsi të vendit të ngjarjes. Të dëmtuarit nga frika, me automjetin e tyre, me shpejtësi largohen nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

I akuzuari D.S., akuzohet për veprën penale “Vrasje e rëndë në ndihmë e mbetur në tentativë” nga neni 179 paragrafi 1 pika 1.5 lidhur me nenin 28 dhe 33 të KPRK-së.

Kurse, të akuzuarit M.B., S.K. dhe E.E., akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo i kryerësve” nga neni 386 paragrafi 1 pika 1.1 lidhur me nenin 31 të KPRK – së.

Të pandehurit K.S. dhe D.S., gjenden në paraburgim, dhe prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të vazhdohet kjo masë dhe që të konfiskohet pushka automatike e tipit “Kallashnikov”dhe te akuzuarit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale.