Kronikë

Gjakovë, 5 të akuzuar për shitje dhe shpërndarje droge

Foto: Koha / ilustrim

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë kundër pesë të pandehurve, për tre vepra të ndryshme penale, njofotn kumtesa .

Në kohë të pacaktuar të vitit 2018 e deri më 16.09.2018, në Komunën e Gjakovës, të akuzuarit B.H., D.H., dhe D.H., në bashkëveprim pa autorizim kanë shpërndarë, shitë dhe transportuar substancë narkotike të llojit kokainë dhe të cilët në vazhdimësi kanë blerë dhe janë furnizuar në lokacione të ndryshme në qytetin e Gjakovës. Kështu kanë kryer veprën penale ”blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

I pandehuri A. Sh., në kohë të pacaktuar e deri më datën 16.09.2018, me dashje ka ndihmuar personat tjerë në kryerjen e veprës penale të cekur më lartë, duke mundësuar në vazhdimësi krijimin e kushteve, mënjanimin e pengesave dhe duke i fshehur provat e veprës penale. Me çka i njëjti ka kryer veprën penale “ndihma në kryerjen e veprës penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, transmeton Koha.net.

I akuzuari G. Xh., me datë 16.09.2018, pa autorizim ka poseduar substancë narkotike, dhe i njëjti atë e ka blerë nga të pandehurit D.H., dhe D.H., duke kryer kështu veprën penale ”posedimi i paautorizuar i narkotikëve, i substancave psikotrope ose analoge nga neni 275 par.1 i KPRK-së.

Prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës Themelore në Gjakovë, që të pandehurit të dënohen sipas ligjit për veprat penale që iu vihen në barrë.