Kronikë

Arrestohen grabitësit e një barnatoreje në Prizren, tregojnë se paratë i kanë bërë “rrush e kumbulla”

Pas një pune operative-hetimore të pandërprerë, në bashkëpunim të ngushtë në mes të hetuesve rajonalë të Prishtinës dhe Prizrenit, është arritur që të identifikohen tre të dyshuar nga rajoni i Pejës të cilët, si pjesë e grupit, diku rreth mesnate (16 shkurt), kanë kryer grabitje të armatosur në barnatoren “Aspirin C” në rrugën e “Jonit” në Prizren.

Sipas hetuesve, të dyshuarit kishin arritur që me kanosje serioze dhe me forcë të grabisnin nga sirtarët një sasi të parave dhe një telefon celular “iPhone 4S” dhe me pas janë larguar në drejtim të panjohur.

“Pas identifikimit të grabitësve, janë bastisur disa lokacione dhe në njërin është gjetur telefoni i cili dyshohet të jetë përfituar në mënyrë të kundërligjshme dhe një pistoletë me mbishkrim “ME Police kalibri 8mm” dhe të njëjtat do të përdorën në cilësi të provave materiale në procese të mëtejme gjyqësore. Tre të dyshuarit, pas arrestimit, janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës në Policinë e Pejës”, bën me dije Policia Rajonale e Prizrenit, raporton Koha.net.

Ndërkaq, gjatë intervistave është kuptuar se të njëjtit kishin kryer edhe shumë vepra tjera të ngjashme për të cilat janë siguruar prova dhe dëshmi materiale.

Në operacion ishin të përfshirë edhe hetues nga Peja.

“I pyetur për paratë e grabitura nga të dyshuarit, njëri nga hetuesit tha se paratë janë bërë “rrush e kumbulla” nëpër lokale të natës me muzikë”, thekson Policia.

Ndërkaq prokurori i shtetit ka urdhëruar që të dyshuarit të ndalën nën masën e arrestit policor.