Kronikë

Aktakuzë ndaj katër personave për vepra të ndryshme penale

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër katër të pandehurve, për tre vepra të ndryshme penale nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Me datë 15.10.2018, në fshatin Rogove të Komunës së Gjakovës, i akuzuari K.H., ka kryer veprën penale “ lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188 par.1 të KPRK-së, në atë mënyrë që të dëmtuarin V.B., e ka sulmuar , duke e goditur me karikatorë në kokë, ku i dëmtuari ka pësuar plagë çaresë në ballë”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Më tutje thuhet se të akuzuarit K.H., A.H., dhe L.H., në të njëjtën datë dhe vend të cekur më lartë, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “sulmi”, nga neni 187 par.2 të nenit 31 të KPRK-së, në atë mënyrë që kanë sulmuar të dëmtuarit N.B., L.K., dhe V.B., duke qenë të armatosur, iu kanë bërtitur dhe vërsulur të dëmtuarve.

“Në të njëjtin vend, në fshatin Rogove, me datën 15.10.2018, i akuzuari Sh. B., ka kryer veprën penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 375 par.1 të KPRK-së, duke shtënë në ajër me armën automatike AK-47 me një karikator, duke kërcënuarën kështu të dëmtuarin V.B.”, thuhet në komunikatë.