Kronikë

Dënohet me 2500 euro për rrëmbimin e një gruaje në Gjilan

Gjykata Themelore e Gjilanit e ka dënuar B.Beqirin, 44-vjeçar, me gjobë në vlerë të 2 mijë e 500 eurove për rrëmbimin e një gruaje në qytetin e Gjilanit.

Gjykata ka konstatuar se Beqiri kishte përdorur një thikë si mjetë kërcënimi, duke e futur viktimën me dhunë në veturë dhe më pas e kishte prekur në pjesët intime të trupit, raporton Koha Ditore.

Ai e kishte kërcënuar në vazhdimësi të njëjtën me qëllim që të detyrojë të kryejë marrëdhënie intime. Viktima ishte hedhur nga makina e rrëmbyesit duke pësuar lëndime trupore ndërkaq ishte shpëtuar nga disa qytetarë të cilët kishin parë ngjarjen e cila po zhvillohej dhe më pas ishte lajmëruar edhe policia.

Beqiri i cili është shtetas i Serbisë, ishte arrestuar nga policia brenda territorit të Kosovës. Gjykata Themelore e Gjilanit nuk kishte aplikuar kodin penal i cili kishte paraparë dënim prej gjashtë muajve deri në pesë vjet për ata të cilët kryejnë veprën penale të rrëmbimit dhe dënimi do të ishte më i rëndë nëse kryerësi kërcënon personin e rrëmbyer me vdekje ose me shkaktim të rëndë të shëndetit me ç’rast parashihet që kryerësi i veprës penale të dënohet me burgim nga 1 deri në 10 vite.

Gazeta ka siguruar aktakuzën e prokurorisë ku sqarohen veprimet kriminale të Beqirit i cili pas arrestimit dhe intervestimit kishte mohuar veprën në fjalë duke deklaruar se e dëmtuara ishte futur në makinë me dëshirën e saj dhe se ishte pajtuar që të kryenin marrëdhënie intime.

“Me datën 09.06.2010. rreth orës 11:00, në Gjilan afër restorantit “Dona” (ish restorant Karadaku) e ka rrëmbyer të dëmtuarën me qëllim që të njëjtën ta detyrojë që të kryejë marrëdhënie intime, ashtu që derisa e njëjta ishte duke udhëtuar rrugës në këmbë, e ndal automjetin e vet “Golf” e fut të njëjtën në veturë, e kap për gjoksi e kërcënon me një thikë me të arritur te rruga qarkore, afër pompës “Ferizi Petroll” e ndal automjetin për t’i dhënë përparësi një automjetit tjetër dhe e dëmtuara e shfrytëzon këtë ndalim, del nga vetura duke u përplasur për tokë, ndërsa i pandehuri ik me veturën e tij e që me punën operative të Policisë së Kosovës zihet afër fsh. Ranilluk dhe arrestohet. Me çka kryer veprën penale rrëmbimi i personit nga neni 159 paragrafi.2 lidhur me paragrafin.1 të KPK-së” thuhet në aktakuzën e prokurorisë.

Kurse viktima kishte përshkruar mënyrën sesi ishte rrëmbyer.

“E dëmtuara gjatë hetimeve ka deklaruar se në ditën kritike gjersa ka qenë duke shkuar në Gjilan me të arritur tek restorant “Dona” i dyshuari e ka ndalë automjetin e vet kinse për të pyetur cila rrugë qon për në Prishtinë, duke i treguar të njëjtit i dyshuari e ka kapur për krahu dhe e ka future në veturë, me të njëjtin kanë shkuar tek restorant “Gjilani” kanë pirë nga një pije dhe kanë vazhduar rrugën për në restorant “Ferizi Petroll” me të arritur tek rruga qarkore pas ngadalësimit të shpejtësisë së automjetit e njëjta ka kërcyer nga automjeti dhe është rrëzuar dhe është lënduar në këmbën e majtë, po ashtu ka potencuar se e njëjta nuk ka kërkuar ndihmë tek restorant “Gjilani” sepse është frikësuar edhe pse në restorant ka patur plot mysafirë. Po ashtu ka deklaruar se gjatë rrugëtimi i pandehuri e ka kërcënuar me qëllim që të njëjtën ta detyroj që të ketë marrëdhënie intime me të”’ thuhet në aktakuzë.

Ndërsa dëshmitarët të cilët edhe i kishin dalë në ndihmë kishin deklaruar në prokurori se e kishin parë viktimën shumë të shqetësuar dhe e cila u kishte treguar për atë se çfarë kishte ndodhur.

Vitin e kaluar, kryetari i trupit gjykues, Zyhdi Haziri në arsyetimin e dhënë në aktgjykim e kishte vlerësuar si rrethanë lehtësuese pranimin e fajësisë dhe se ishte i bindur se dënimi me gjobë ishte i drejtë.

Ai ishte dënuar për kryerjen e veprës penale rrëmbim i personit nga neni 159 parag. 2 lidhur me parag. 1 të KPK-ës. Gazeta ka parashtruar pyetje në drejtim të Gjykatës Themelore e cila vazhdon të mbrojë qëndrimin e saj se në këtë rast është vepruar sipas ligjit.

Sabit Shkodra, zëdhënës për informim në Gjykatën Themelore të Gjilanit ka deklaruar se aktgjykimi është i formës së prerë ngase palët nuk kanë ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit. Ai thotë se palët nuk kishin shfrytëzuar të drejtën e ankesës.

“Gjykata në bazë të shqyrtimit të gjitha provave ka nxjerrë Aktgjykimin, në këtë rast ka nxjerrë Aktgjykim dënues me gjobë, pasi që i akuzuari, ka pranuar fajësinë dhe gjykata ka marr si rrethanë lehtësuese për të akuzuarin, ashtu siç parashihet edhe në Kodin e Procedurës Penale. Nuk kemi të drejtë të komentojmë vendimet e gjykatës, pasi që sistemi i gjyqësisë në vend ka shkallëshmërinë dhe palët e pakënaqura ndaj këtij vendimi kanë pas të drejtën e ankesës në shkallën e dytë, në këtë rast në Gjykatën e Apelit.Pasi që palët nuk kanë ushtruar ankesë, aktgjykimi është bërë i plotfuqishëm me datë 25.12.2017” ka thënë Shkodra.

Ndërsa qëndrimi i Prokurorisë Themelore të Gjilanit është se ata janë pajtuar me këtë dënim pasi ishte arritur marrëveshja për pranimin e fajësisë. “Ju njoftojmë se për rastin konkret, ish Prokuroria Publike e Qarkut – tani Prokuroria Themelore në Gjilan, pas zhvillimit të hetimeve, më 09 korrik 2010, ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës kompetente në Gjilan, ndaj të pandehurit B.B., për shkak të veprës penale ‘’Rrëmbimi’’, nga neni 159 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Kosovës. Prokuroria Themelore në Gjilan, bazuar në nenin 233 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, më 17 nëntor 2017, ka arritur Marrëveshjen për pranimin e fajësisë, me pëlqimin e të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij, në njërën anë dhe prokurorit të shtetit, në anën tjetër. Me këtë marrëveshje, Gjykatës i është propozuar që i pandehuri të dënohet me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajve (180 ditë), me mundësi të zëvendësimit me gjobë. Ligjshmëria mbi marrëveshjen e pranimit të fajësisë është vërtetuar nga Gjykata kompetente në Gjilan, pas shqyrtimit gjyqësor dhe publik, e cila e ka pranuar këtë marrëveshje, pasi që ka konstatuar se janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore” thuhet në përgjigjen e prokurorisë.

Gazeta gjithashtu për sqarim juridik ka kontaktuar me juristin Shemsedin Piraj i cili deklaron se kodi në të cilën është bazuar gjykatat parasheh dënimin me burgim dhe jo me gjobë. “Dënimi nuk parashihet me të holla dhe ligji nuk e lejon as paragrafi 1 dhe as paragrafi 2 nuk e parasheh dënimin me gjobë. Qysh mundet me qenë shqiptimi i dënimit në harmoni me peshën e veprës penale. E kundërta është në disproporcion të thellë me peshën e veprës penale sepse pasha e veprës penale është shumë e rëndë kurse dënimi është ekstrem i butë. Kushdo që e rrëmben personin me qëllim që atë apo personin tjetër ta detyrojë të kryejë ose të moskryerje një vepër a të pajtohet me një vepër dënohet me burgim prej gjashtë muajve deri në pesë vjet. Ky e ka paragrafin 2. Nëse vepra penale nga paragrafi 1 i këtij neni kryhet ndaj fëmijës, kur vepra penale kryhet si anëtar i grupit ose kryerësi e kërcënon personin e rrëmbyer me vdekje ose me shkaktim të dëmtimit të rëndë të shëndetit, kryerësi dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet. Këtu dënimi me të holla nuk vjen në shprehje. Këtu nuk është i paraparë dënimi me gjobë”, ka thënë Piraj.

Ndryshe sipas informacioneve viktima kishte kërkuar që të mos ftohej në seancat gjyqësore ngase pasi kishte ndodhur rasti disa vite më vonë ajo ishte martuar dhe se kishte frikë që ngjarja e cila kishte ndodhur do të krijonte telashe në jetën e saj personale.