Kronikë

Aktakuzë ndaj dy personave që rrahën për vdekje një tjetër

Descriptive Text

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve A.S., dhe F.M., për shkak se kishin rrahur për vdekje viktimën D.M..

A.S. dhe F.M. akuzohen për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.

“Kështu, me datë 07.04.2018 pas orës 02:00, në kafenenë ‘Vullkani’ në fshatin Gjinovc – Komuna e Suharekës, të akuzuarit A.S. dhe F.M., duke qenë në shoqëri me disa shokë dhe në gjendje të dehur, pas një fjalosje verbale vijnë deri te konflikti fizik me tashmë të ndjerin D.M. Të akuzuarit, e godasin të ndjerin me grushte dhe me mjete të forta në kokë, dhe si pasojë e goditjeve dhe e lëndimeve të marra, i ndjeri bie në gjendje kome. I ndjeri, pas tretmanit mjekësor dhe qëndrimit në QKUK në Prishtinë, vdes me datë 29.04.2018”, thuhet në njoftim të Prokurorisë.

“Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit A.S., dhe F.M., kanë kryer veprën penale ‘Lëndim i rëndë trupor’ nga neni 189 paragrafi 4 dhe paragrafi 5 lidhur me paragrafin 2 dhe nënparagrafin 2.1. të KPRK-së”, thuhet më tej në njoftim.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila u vihet në barrë.