Kronikë

Arrestohet një person për shitblerje të narkotikëve, policia i gjen edhe gjësende tjera në banesë

Mbrëmë rreth orës 21:00, Policia e Kosovës, respektivisht hetuesit e Sektorit Qendror për Hetimin e Narkotikëve, pas një pune hetimore dhe operative në teren, në Fushë Kosovë kanë ndaluar të dyshuarin (R. H.) i cili dyshohej se është duke bërë shitblerje të substancave narkotike të dyshuara të llojit kokainë.

Pas ndalimit të të dyshuarit, i është bërë kontroll në trup dhe në xhaketën e tij, e në xhepin e majtë i janë gjetur 8 doza substancë narkotike, e dyshuar e llojit kokainë e gatshme për shitje, ndërsa në portofolin e tij i janë gjetur 3 doza substancë narkotike e dyshuar e llojit kokainë e gatshme për shitje.

“Është kryer bastisja e banesave të të dyshuarit në rrugën “Hajrulla Zyma” ku gjatë bastisjes së kësaj banese janë gjetur dy qese najloni të tejdukshme të dyshuara me substance narkotike të llojit kokainë, një qese substancë narkotike e dyshuar e llojit marihuanë, si dhe një peshore, ndërsa në banesën tjetër ne rrugën “Dardania” gjatë bastisjes janë gjetur dy armë zjarri dhe 23 predha (fishek) kalibri 7.65”, thuhet në raportin e policisë.

Lidhur me rastin, janë ndërmarrë veprime të tjera dhe është realizuar edhe një bastisje e një shtëpie në Prizren në asistencë të njësitit patrullues të stacionit policor të Prizrenit, por nuk është gjetur diçka e dyshuar.

“Në cilësinë e provova materiale gjithsej janë sekuestruar 174 gram substancë e dyshuar e llojit kokainë, 10 gram substancë e dyshuar e llojit marihuanë, dy revole të kalibrit 7.65 ( Ecol Special dhe Zoraki, 23 predha (fishek) kalibri 7.65 një veturë, dy telefona mobil dhe para të gatshme 1700 euro”, thuhet tutje.

Bastisjet janë realizuar sipas urdhëresës nga organet kompetente të drejtësisë, përderisa me urdhër të Prokurorit të Krimeve të Rënda në Prishtinë i dyshuari dërgohet në mbajtje.