Kronikë

Aksident trafiku me fatalitet në Malishevë

Një grua ka vdekur në një aksident trafiku që ka ndodhur sot në Malishevë, derisa tre të tjerë janë lënduar, njëra prej tyre rëndë. Viktima është e moshës 83 vjeçare.

Mjeku kujdestar në QKUK, Avdush Bajgora ka konfirmuar për Koha.net se viktima ka ndërruar jetë para një ore, derisa motra e saj është në gjendje të rëndë.

“Ka vdekur para një ore Feride Jonuzi, e lindur më 1935, nga plagët e marra në një aksident që ka ndodhur në Malishevë. E në gjendje të rëndë është motra e saj, e aksidentuar në këtë rast”, ka thënë Bajgora.

E lajmin për Koha.net e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë në rajonin e Gjakovës, Lirije Podrimaj.

Ajo ka thënë se, “me datë 17.11.2018 në ora 16:40 policia në Malishevë ka marr informacion për një aksident trafiku të ndodhur në rrugën lokale Banjë-Senik. Patrullat policore menjëherë kanë dal në vendin e ngjarjes ku dyshohet se aksidenti kishte ndodhur përderisa një automjet po qarkullonte në rrugën lokale në fshatin Senil në drejtim të fshatit Banjë me ç’rast në hyrje të fshatit Banjë i njëjti kishte humbur kontrollin mbi automjetin e tij dhe kështu me pjesën ballore të automjetit kishte goditur një automjet tjetër i cili po qarkullonte nga fshati Banjë në drejtim të fshatit Senik”.

Më tutje Podrimaj thotë se personat e përfshirë në aksident kanë pësuar lëndime të rënda trupore dhe pas marrjes së ndihmës së parë në QMF në Malishevë janë transferuar për në QKUK në Prishtinë.

“Për shkak të lëndimeve të rënda personi i dyshuar së bashku me dy pasagjeret e tij janë hospitalizuar në repartin kirurgjik, ndërsa në ora 21:22 policia është njoftuar nga QKUK se viktima F.J, kosovare / shqiptare e lindur në vitin 1935 kishte ndërruar jetë. 4 persona janë lënduar, njëra prej tyre ka ndërruar jetë dhe një tjetër është në gjendje të rëndë sipas mjekëve”, thotë Podrimaj.