Kronikë

Dënohet me 1 vjet burgim, trajtim psikiatrik dhe gjobë për tentim-vrasje në Pejë

Foto: Driton Paçarada / ilustrim

Gjykata Themelore në Pejë - Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit J.M.

Të pandehurin J.M, gjykata e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti dhe dënim me gjobë në shumë prej 1.000 euro të cilën është i detyruar ta paguajë në afat prej 90 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit, e në rast të mospagimit të dënimit me gjobë do t’i zëvendësohet me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 50 ditëve, ashtu që çdo 20 euro të dënimit me gjobë i konvertohet në një ditë burgu.

Të njëjtit i është shqiptuar edhe dënimi plotësues – konfiskimi i armës dhe është urdhëruar shkatërrimi i saj.

Për realizimin e kërkesës pasurore juridike, i dëmtuari është udhëzuar në kontest të rregullt civil.

Të pandehurit i është shqiptuar edhe masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik, e cila masë do të ekzekutohet në Qendrën e Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë, ku koha e kaluar në Institucionin e kujdesit shëndetësor i llogaritet në dënimin shqiptuar.

I pandehuri është shpall fajtor për shkak se:

“Me datë 11.06.2018, me dashje dhe në gjendje të aftësisë së zvogëluar mendore ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin, në atë mënyrë që ditën kritike i pandehurit i përgatitur shkon në vendin kritik me veturën e tij dhe sapo afrohet te i dëmtuari ndalon veturën dhe me armën e tij nga dritarja e pasagjerit ka shtënë katër herë në drejtim të tij duke e goditur dy herë në bark – pelvik e pastaj me të shpejtë largohet nga vendi i ngjarjes ndërsa, viktimën e dërgojnë në spital dëshmitarët me çka ka kryer veprën penale vrasje në tentativë nga neni 178 lidhur me nenin 28 dhe nenin 18 par.2 të KPRK-së dhe, të njëjtën ditë, në kundërshtim me nenin 5 par.1 të Ligjit mbi armët dhe pa autorizim ka mbajtur në pronësi dhe kontroll një armë zjarri në atë mënyrë që (më parë në shtëpinë e tij ka mbajtur armë) në ditën kritike të njëjtën e ka përdorë me qëllim që ta privojë nga jeta të dëmtuarin”, thotë Gjykata.

Me këtë rast, Gjykata thotë se i pandehuri ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Kundër këtij aktgjykimi, pala e pakënaqur ka të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit.