Kronikë

Pjetër Nrecaj pranon fajësinë, për vrasjen e vajzës thotë se ishte aksidentale

Në Gjykatën Themelore të Gjakovës, Pjetër Nrecaj, është deklaruar sërish fajtor për dy veprat penale që akuzohet: vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje. Vrasjen e vajzës së tij, e ka konsideruar aksidentale, raporton KTV.

"Dihet se dy anëtarë të familjes i kam humbur. Edhe vajzën e vogël aksidentalisht dhe e pranoj fajësinë, dhe jam i penduar," ka thënë Nrecaj.

Mbrojtja e tij, ka kërkuar nga gjykata që t’i marrë parasysh rrethanat me rastin e shqiptimit të dënimit.

Prokurori i rastit, Agron Matjani, i ka propozuar gjykatës që të aprovojë pranimin e fajësisë nga i akuzuari. Seancën e kaluar, pas pranimit të fajësisë nga i akuzuari, ishte propozuar nga mbrojtja të fillohet me negocimin e pranimit të fajësisë, por një gjë e tillë është kundërshtuar më pas nga prokuroria në Gjakovë.

Prokurori Matjani, ka thënë se një gjë e tillë nuk është bërë për shkaqe procedurale.

Kujtojmë se Prokuroria Themelore në Gjakovë më 27 shtator kishte ngritur aktakuzë ndaj Pjetër Nrecajt për vrasjen e bashkëshortes së tij Valbona Nrecaj dhe vajzës së tyre.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë i akuzuari më 7 gusht, në Gjakovë, në shtëpinë e familjes së viktimës, me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten dhe vajzën e tij.