Kronikë

Nënkryetari i Novobërdës thotë se qytetarët janë të shqetësuar me atë që ndodhi në Llabjan

Një serb i moshës 25-vjeçare pasditen e sotme ka demoluar brenda dhe jashtë xhaminë në fshatin Llabjan të Novobërdës më pas ka thyer dyert e shkollës “Asdreni” e po ashtu ka dëmtuar edhe dy-tri shtëpi private.

Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe më pas ka arrestuar serbin me inicialet B. F.

“Ende nuk dihet motivet që e kanë shtyrë atë të kryejë një akt të tillë, ndërsa me urdhër të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë ka”, thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

Rastin e ka dënuar nënkryetari i komunës së Novobërdës, Bajrsh Ymeri i cili ka thënë se banorët e fshatit Llabjan janë të shqetësuar nga ky akt vandal.

“Ne kemi pasur raporte të mira mes komuniteteve, kemi pas situatë të qetë dhe stabile në komunën tonë, por ky rast e ka zbehë atë...Nuk duamë të paragjykojmë asgjë por kërkojmë nga organet e drejtësisë që sa më parë të zbardhet ky rast dhe akterët të sillen para drejtësisë për të marrë dënimin e merituar”, ka thënë Ymeri.

Aktin e ka dënuar edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, i cili ka thënë se komunitetet në Kosovë pa dallim feje e nacionaliteti duhet të jenë në mirëkuptim e në harmoni të plotë.

“Kosova nuk e ka në traditë të sulmohen kultet fetarë të askujt edhe në kohët më të vështira kjo është vërtetuar. Prandaj nuk duhet toleruar që këto veprime të bëhen përditshmëri”, ka thënë ai.