Kronikë

Katër persona sulmojnë drejtorin e Shërbimeve Publike në Gjilan, arrestohen

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media bën të ditur se janë arrestuar katër persona dje në Gjilan me dyshimin se kanë sulmuar drejtorin e Shërbimeve Publike.

Drejtor i Shërbimeve Publike në Gjilan është Naser Korça, transmeton Koha.net. Policia thotë se megjithatë ai nuk ka pësuar lëndime trupore.

“Më 19 qershor 2018, rreth 08:20, Policia e Kosovës në Gjilan është njoftuar se katër të dyshuarit shqiptarë, shtetas të Kosovës, e kanë sulmuar fizikisht drejtorin e Shërbimeve Publike, në zyrën e tij, me ç‘rast i kanë shkaktuar dëme materiale në zyrë, ndërsa i njëjti fatmirësisht nuk ka pësuar lëndime trupore”, thuhet në komunikatë.

Policia shton se kanë ndërhyrë punëtorët tjerë të komunës, të cilët edhe e kanë ndaluar sulmin.

“Policia e Kosovës fillimisht i ka arrestuar të gjithë të dyshimtit, të cilët janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve për rastin “sulm ndaj personit zyrtar”. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që rasti të procedohet në procedure të rregullt në PTH. Motivet e rastit janë duke u hetuar”, thuhet në komunikatë.