Kronikë

Ngrihet kallëzim penal ndaj zyrtarit të MPB-së që shfrytëzoi parkingun e Ministrisë për biznes

Drejtoria e Policisë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit ka ngritur kallëzim penal ndaj Riza Alshiqit, zyrtar të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që shfrytëzonte parkingun e Ministrisë për biznes.

Siç bëhet e ditur në komunikatën e Policisë të premten në mbrëmje, ai dyshohet për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në mes të prillit emisioni “Betimi për Drejtësi”, që transmetohet në Kohavision, pati raportuar për rastin. Alshiqi shfrytëzonte parkingun për t’i dhënë me qira veturat e biznesit të tij “Riza rent a car”.

Policia ka bërë të ditur se ka siguruar dëshmi për veprën e zyrtarit të MPB-së që nga viti 2020.

“Policia ka gjetur e sekuestruar prova për kryerjen e kësaj vepre. I dyshuari është intervistuar, është iniciuar rasti si më lart dhe me aktvendim nga prokurori kompetent rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt”, bëhet e ditur në njoftim.