Kronikë

Vdiq 41-vjeçari që u plagos me armë zjarri në një lokal në Pejë

Descriptive Text

Një 41-vjeçar me inicialet I.G., ka vdekur të martën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, derisa ishte duke u trajtuar pasi është qëlluar me armë zjarri më 28 qershor në fshatin Kryshec të Pejës.

Drejtori i Klinikës Intensive në QKUK, Shaqir Uka, i ka thënë Kohës se viktima nuk ka arritur t’i bëjë ballë më gjatë plagëve të marra, me ç’rast ka vdekur në orët e mëngjesit të së martës.

“Viktima ka vdekur pasi nuk ka mundur t’u përballojë plagëve që i ka marrë. Ka vdekur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm”, ka thënë Uka.

Më 29 qershor, Policia e Kosovës ka njoftuar se një person është arrestuar nën dyshimin se ka shtënë me armë në drejtim të disa personave në tarracën e një lokali në Pejë.

I dyshuari është arrestuar dhe është konfiskuar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në rast. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa numri i të lënduarve nuk është bërë i ditur.