Kronikë

Policia në kërkim të Nuredin Lushtakut për rastin e plagosjes së policëve

lushtaku, policet,

Prokuroria Themelore në Mitrovicë i ka kërkuar Gjykatës Themelore që t'ua caktojë masën e paraburgimit dy të dyshuarve për rastin e plagosjes së dy policëve të shtunën mbrëma në Skenderaj, F.L. dhe A.L., ndërkohë që ish-nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtaku, është shpallur në kërkim.

“Prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë ka lëshuar vendimin për ndalim për të dyshuarin N.L., por i njëjti ende nuk është hasur nga policia dhe është në kërkim. Posa të arrestohet, ndaj të njëjtit do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit për shkak të veprave të lartcekura penale”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë të hënën.

Avokati i Lushtakut, Artan Qerkini tha për KOHËN se klienti i tij asnjëherë nuk ka qenë në kërkim, ndërsa shtoi se të hënën do të mbahet seanca për masë të sigurisë.

“Nuredin Lushtaku ndodhet në Polici, nuk ka qenë asnjëherë në kërkim. Ai është liruar dje, por pasi që është njoftuar për kërkesën e re të prokurorisë ai është ka shkuar serish vullnetarisht ne Polici. Sot pritet që të mbahet seanca për masa të sigurisë”, tha ai.

Lushtaku dyshohet se me familjarë të tij sulmuan policët në një pikë kontrolli, pasi ata ia shqiptuan një gjobë trafiku djalit të tij.

Ndërkohë në raportin policor të së hënës, bëhet e ditur se të gjithë të përfshirët në incident, gjithsej katër, janë intervistuar.

“Në vendin e ngjarjes si dhe gjatë bastisjes nga njësitet policore janë konfiskuar dëshmi/provave materiale. Me vendim të prokurorit, dy të dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa dy të tjerët janë liruar”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

Po ashtu, Lushtaku gjatë ditës së diel tha se ishte në polici dhe se është liruar.

Incidentin në Skenderaj, ku një polic u plagos me armë zjarri e një tjetër u lëndua me mjet të fortë e kanë dënuar Qeveria, Sindikata e Policisë dhe PDK-ja, parti ku Lushtaku është anëtar.