Kronikë

Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për kosovarin që vrau bashkëshorten dhe kunatën në Zvicër

Descriptive Text

Sot në Gjykatën e Qarkut në Brugg të Zvicrës fillon seanca ndaj kosovarit 57-vjeçar që më 8 janar të vitit 2018 kishte vrarë në Hausen AG bashkëshorten e tij (38) dhe kunatën (31), raporton Blick.

57-vjeçari duhet të jap llogari për vrasje të shumëfishtë. Ai rrezikon burgim të përjetshëm.

Siç thuhet nga Prokuroria, bashkëshortja e 57-vjeçarit e kishte raportuar atë në janar të vitit 2017 për dhunë familjare dhe donte të divorcohej.

Po ashtu i akuzuari dyshonte se bashkëshortja e tij kishte lidhje me burra tjerë. Për këtë arsye kontrollonte celularin e saj me “Find My iPhone”.

Ai zbuloi se dy herë bashkëshortja e tij ishte takuar në një vend me një burrë apo me burra tjerë në një klub.

Prokuroria supozon se 57-vjeçari tentoi ta bindte bashkëshorten të hiqte dorë nga plani për divorcim më 7 janar të vitit 2018, por nuk pati sukses. Ai kishte vendosur ta vriste atë në mëngjesin e 8 janarit. Priti derisa fëmijët të shkonin në shkollë. Pas kësaj ai thuhet se vrau bashkëshorten me goditje me thikë në shtrat.

I dyshuari më pas sulmoi kunatën e tij, që ishte në vizitë dhe po flinte në dhomën e fëmijëve. Ai e goditi njëherë duke e lënë pa ndjenja, pastaj e çoi në dhomën e fjetjes dhe i dha tri goditje me thikë në gjoks. Prokuroria thotë se ai nuk donte të linte dëshmitare.

Sipas Prokurorisë pas vrasjeve, 57-vjeçari kishte goditur veten me thikë në afërsi të gjoksit, dhe i vendosi në dorë kunatës së tij një thikë. Për të mashtruar se kunata ka sulmuar e para.

Prokuroria po kërkon burgim të përjetshëm. Vendimi pritet të merret këtë javë.