Kronikë

I akuzuari për vrasjen e Donjeta Pajazitajt dënohet me burgim të përjetshëm

I akuzuari për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, Naser Pajazitaj, është shpallur sot fajtor dhe është dënuar me burgim të përjetshëm.

Aktgjykimi është dhënë sot në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Në fakt, ky është rigjykim, pasi Supremja kishte anuluar vendimin e Themelores në Pejë dhe të Apelit. Pas anulimit, Themelorja e Pejës ishte përjashtuar nga rasti dhe ai i ishte dorëzuar Themelores në Ferizaj.

Ai akuzohej për veprën penale vrasje e rëndë nga neni 179 paragrafi 1 pika 1 4, 1.8 dhe 1.12 t të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. 

Naser Pajazitaj është akuzuar se më 9 nëntor të vitit 2015 me armë në mënyrë mizore e kishte privuar nga jeta, tani të ndjerën Donjeta Pajazitaj.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë i pandehuri Naser Pajazitaj akuzohet se në bjeshkët e Strellcit të Komunës së Deçanit, në vendin e quajtur te ’’Kroni i Lajthisë” , i akuzuari duke qenë edhe më parë i dënuar për vepër penale të vrasjes së rëndë, me dashje dhe me armë të tipit të panjohur, në mënyre dinake dhe për motive të ulëta e ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajazitaj.

Naser Pajazitaj ishte dënuar me burg të përjetshëm nga Gjykata Themelore e Pejës, vendim që u vërtetua nga Gjykata e Apelit, por të dy vendimet u anuluan nga Supremja dhe rasti u kthye në rigjykim.

Nëna e Donjeta Pajazitajt, Lumnija, ka thënë se konsideron se ka pasur edhe një bashkëpunëtor, pasi thotë se ajo do të mund të mbrohej po të ishte vetëm Naseri.

“Konsideroj se ka qenë dikush bashkëpunëtor i tina. Qikën e kam pas të zonjën dhe gjithqysh kish mujt me shmang këtë”, ka thënë ajo.

Image