Kronikë

538 gjoba anti-COVID për një ditë në kohën kur partitë po organizojnë tubime me qindra veta

Policia e Kosovës ka shqiptuar 538 gjoba në 24 orët e fundit për shkelje të masave anti-COVID.

Sipas legjislacionit në fuqi, qytetarët nuk mund të dalin në qytet pa maskë, duhet të mbajnë distancën dhe të respektojnë orarin e lëvizjes.

Gjoba më e vogël për qytetarët, ajo për mosmbajtje të maskës është 35 euro.

Por shumë nga këto që parasheh Ligji për parandalimin e pandemisë nuk po respektohen nga partitë politike që sot janë futur në fushatë zgjedhore.

Në fakt, partitë ka javë kanë nisur tubimet në hapësira të mbyllura, duke mbledhur me qindra veta.

Deri më tash, vetëm Inspektorati i Komunës së Prishtinës ka ndarë gjoba për partitë politike për organizim të tubimeve në kundërshtim me masat anti-COVID.

Sipas masave në fuqi, në ambiente të mbyllura nuk lejohen tubimet me më shumë se 30 persona, gjithnjë duke respektuar edhe distancën fizike dhe mbajtjen e maskës.