Kronikë

Vritet me breshëri plumbash një person në Durrës

Një i ri është ekzekutuar me breshëri automatiku pasditen e kësaj të diele në qytetin e Durrësit.

Viktima është identifikuar si Ilir Kuçi, i cili fillimisht mbeti i plagosur, por ndërroi jetë vetëm pak minuta më pas në spitalin rajonal të Durrësit.

Ilir Kuçi, nga këqyrja e sistemit rezulton që të ketë ndryshuar emrin nga Jetmir Bregu në Ilir Kuci. Fillimisht u raportua për një konflikt çasti, por burime për Top Channel mësojnë se autorët kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi drejt 32-vjeçarit, që s’mundi t’i rezistojë plagëve të marra.

Për shkak të motit të keq, në zonë kishte shumë pak lëvizje njerëzish, gjë që i favorizoi autorët. Ata mundën që t’i iknin edhe policisë pas të shtënave në breshëri.

Aktualisht, kjo e fundit po bën krehjen e zonës me qëllim kapjen e autorëve. po ashtu, policia ka shoqëruar disa emra në Komisariat si persona që mund të kenë dijeni lidhur me ngjarjen, por jo autorin/ët të dyshuar.