Kronikë

SHBA-ja akuzon hakerin kosovar për vjedhje identiteti e mashtrim edhe sa ishte në burg

Hakeri kosovar Ardit Ferizi, i cili po vuante dënimin për qasje të paautorizuar në informata kompjuterike dhe ofrim të materialeve mbështetëse grupeve terroriste të huaja, po përballet mne akuza të reja në SHBA.

Ai po akuzohet se ka kryer mashtrim dhe vjedhje identiteti edhe derisa ishte në burg federal.

Ferizi 25-vjeçar jetonte në Malajzi para se të dërgohej në Virginia në vitin 2016 për t’u përballur me akuzat federale. Ferizi ishte deklaruar fajtor për qasje të paaturoziuar në informata kompjuterike dhe ofrim të materialeve mbështetëse grupeve të huaja terroriste, duke siguruar informata të personelit të Qeverisë së SHBA-së për ISIS-in.

Ai ishte dënuar me 20 vjet burgim. Por, pas një ankese, dënimi i Ferizit u reduktua në dhjetor të vitit të kaluar në kohën që e shërbeu, plus dhjetë vjet lirim në mbikqyrje në Kosovë.

Ferizi po priste deportimin në Kosovë, kur FBI-ja zbuloi se ai kishte vazhduar aktivitetet e tij kriminale dhe bëri disa shkelje federale derisa ishte i burgosur në Institutin Federal Korrektues në Terre Haute të Indianas.

“Pretendojmë se Ferizi ka siguruar qasje në informata personale të qytetarëve amerikanë, ndonëse ai po vuante dënimin me burg për sigurim të qasjes në informata të ngjashme dhe dërgim të atyre informatave te ISIS-i. Sjellja e pretenduar kriminale e Ferizit vazhdoi në burg, pavarësisht kërkesës së tij për një lirim të përkohshëm”, ka thënë prokurori amerikan David Anderson.

“Ardit Ferizi është një kriminel që ka pranuar fajësinë, i cili ka rrezikuar jetërat e mbi 1000 amerikanëve duke ndarë informacione personale me anëtarët e një organizate të rrezikshme terroriste. FBI-ja kurrë nuk zbrapset nga kërkimi i drejtësisë për viktimat e pafajshme, dhe do të vazhdojë ta kontrollojë në mënyrë rigoroze atë dhe të gjithë tjerët që kanë synim ta lëndojnë vendin tonë dhe qytetarët tanë”, ka thënë agjentja e FBI-së, Rachel L. Rojas, nga Divisioni i Jacksonvillet.

Sipas FBI-t, Ferizi në vitin 2017 dhe 2018 ishte përfshirë në disa skema mashtruese nga burgu, duke u koordinuar me një anëtar të familjes që po operonte emailat e Ferizit, ndërsa Ferizi ishte i burgosur.

Ferizi kishte këshilluar anëtarin e familjes që “t’i mbante emailat gjallë e mos t’i lë të skadojnë.

FBI-ja ishte në gjendje të zbulonte së paku një email ku kishte bazë të madhe të dhënash me informacione të vjedhura personale, një listë të gjerë të emailave të vjedhur, numra të kredit kartelave, më pas fjalëkalime dhe po ashtu informata tjera konfidenciale. Sipas deklarimit të agjentit të FBI-së, mbi pretendimet e të cilit është ngritur akuza e re, baza e të dhënave të informatave personale që kishte vjedhur Ferizi ishin fryt i aktivitetit kriminal të hakimit të Ferizit. Bazuar në një IP adresë që lidhet me Kosovën, aktivitetin e kyqjes në emailat tjerë të Ferizit dhe po ashtu informatave tjera të dala nga hetimi, u përcaktua se një anëtar i familjes së Ferizit kishte shkarkuar bazën e të dhënave të informatave të vjedhura për të likuiduar të ardhurat e mëparshme të siguruara nga Ferizi nëpërmjet aktiviteteve kriminale të hakimit.

Gjatë kryerjes së krimeve të reja, Ferizi dhe anëtari i familjes së tij pretendohet së kanë përdorur shërbimet elektronike si Google, PayPal dhe Coinbase, secila me seli në Kaliforni.

Po ashtu thuhet se Ferizi ka vazhduar të komunikojë me tjerët për të zgjeruar skemën e tij ndërsa ishte në paraburgim. Pretendohet se është përdorur komunikimi elektronik për të zgjeruar skemën dhe se të dhënat personale dhe informatat i takonin individëve të tjerë që kishin qenë viktima të aktiviteteve të Ferizit.

Ferizi akuzouhet me për vjedhje të identitetit, dhe po ashtu për mashtrim. Nëse shpallet fajtor, ai përballet me dënim maksimal prej 20 vjet burgim dhe gjobë 250 mijë dollarë.

Ferizi, që është në paraburgim, do të transportohet në Kalifornia. Nuk është caktuar ende seanca gjyqësore ndaj tij.