Kronikë

19-vjeçari i vrarë në Gjilan u ther me thikë brenda ndërtesës ku jetonte

Gjurmë të gjakut që besohet se i përkasin viktimës E. S. (19 vjeç) kanë mbetur në hollin e katit të parë në ndërtesën kolektive e cila gjendet në rrugën “Gjon Sereqi” në Gjilan. Ai është goditur me thikë në mesnatë në ndërtesën ku banonte, nga autor deri tani të panjohur.

Burime të KOHËS brenda institucionit që merren me ndjekjen e krimit, në kushte anonimiteti deklarojnë se viktima është gjetur nga familjarët e tij, i lënduar në katin e pestë, të cilët kanë tentuar që t’i ofrojnë ndihmë dhe nga katet e sipërme të ndërtesës është bartur në katin përdhes ku edhe është transportuar drejt Spitalit të Gjilanit.

Për shkak të plagëve të rënda është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë mirëpo nuk ka arritur që të mbijetonte.

Prokuroria dhe policia janë duke zhvilluar hetimet për identifikimin e kryesit të krimit.

Megjithatë pak detaje janë dhënë nga prokuroria për këtë rast ngase sipas tyre hetimet janë në një fazë të ndjeshme dhe se informacionet të cilat mund të plasohen në publik mund të dëmtojnë këtë hetim.

Ndërkaq në katin e pestë në ndërtesën kolektive ku edhe jetonte familja, dera e apartamentit është e mbyllur. Fqinjët e viktimës janë të tronditur për atë se çfarë ka ndodhur në ndërtesën e tyre ngase sipas tyre vrasësi nuk është identifikuar dhe as nuk dihet motivi i kësaj vrasje.

Në kushte anonimiteti ata kanë folur për KOHËN.

“Kemi dëgjuar britma të nënës së tij, britma nga korridori dhe nuk kam guxu që të dal jashtë sepse nuk kam pas forcë. Kjo ka qenë natën vonë. Kjo çfarë ka ndodh është tragjedi mu vra një djal i ri. Nuk dihet për çka është vra edhe nga kush. I takon një familjes të mirë e të urtë. Këtë djalin nuk e njohim si djalë të keq. Kemi qajt kur kemi dëgju se çfarë ju ka ndodh” shprehet një nga banoret.

Sipas saj, ndërtesa kolektive është e ndërtuar para 40 viteve dhe se nuk ka ashensor dhe se i mungon ndriçimi. Thotë se nuk ka as kamera.

“Nuk ka as ashensor dhe ndriçimi nuk punon. Po tash kamera nuk kemi. Tash mundet dikush me ardh me të vra edhe mos me u kap. Tmerr ku po jetojmë. Po e sheh çfarë po bëhet vrasje, vjedhje po çfarë sigurie, nuk ka siguri” shprehet ajo.

Ndërkaq një banore tjetër deklaron se nuk e ka të qartë për mos pastrimin e ndërtesës nga njollat e gjakut të cilat janë të shpërndara në holl por edhe në shkallët e ndërtesës.

“Po thojnë që është ende vend i krimit edhe nuk po e pastrojnë. Po tash keq me pa banorët tjerë kështu. Për këtë djalin nuk kam informata diçka kanë thanë që e kanë therr lart në katin e pestë” shprehet një nga banoret.

Ndërkaq prokurori i çështjes, Agron Uka deklaron se do të punojnë në këtë rast të ndjeshëm dhe se identifikimi i autorit mund të merr kohë.

“Jemi në proces të hetimit dhe momentalisht nuk kemi të dyshuar. Viktima është goditur me thikë. Tash për tash pistat e hetimit janë përhap në tërë anët. Hetuesit i kemi dërguar në të gjitha pikat ku po dyshojmë ne”, ka thënë ai.

Koha ka mësuar edhe se viktima ishte i punësuar në një kafiteri në Gjilan.