Kronikë

Nisin hetimet për vdekjen e një të miture në një klinikë private

Policia e Kosovës ka hapur hetimet për vdekjen e një vajze të mitur në një klinikë private.

Në një njoftim të Policisë, thuhet se rasti është hapur sot dhe se trupi i viktimës është dërguar për obduksion.

“Sot në stacionin policor jugu në Prishtinë, është hapur një rast vdekje e dyshimtë. Viktimë në këtë rast është një femër (e mitur). Aktualisht hetuesit policorë në koordinim me Prokurorinë përkatëse, janë duke punuar për të sqaruar të gjitha rrethanat që lidhen me rastin, ndërkohë që me urdhër të prokurorit trupi i viktimës është dërguar për obduksion”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, në një komunikatë për media, Ministria e Shëndetësisë, ka dhënë një sqarim për hetimet e deritashme.

Sipas MSH-së, Inspektorati Shëndetësor fillimisht kishte shkuar në Institucionin Shëndetësor Privat “CT Scanner” në Prishtinë, me themelues A.K., por pasi e kishte gjetur të mbyllur klinikën nga ana e Policisë, kishte shkuar në QKUK.

“Për shkak se institucioni në fjalë në momentin e paraqitjes së inspektorëve shëndetësorë para hyrjes së tij ishte i mbyllur nga ana e Policisë së Kosovës, pas disa informacioneve të marra nga Policia dhe banorët në afërsi të IPSh në fjalë, inspektorët shëndetësor kanë shkuar në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ku ishte transferuar një pacient-fëmijë (T.H., viti i lindjes 2013), i cili paraprakisht, i ishte nënshtruar rreth orës 10:00, një ekzaminimi MRI (Rezonancë Magnetike) në IShP ‘CT Scaner’, të caktuar një ditë më herët. Për të bërë ekzaminimin, fëmija kishte shkuar i shoqëruar në këtë institucion privat nga të dy prindërit e tij. Sipas dyshimeve, për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore gjatë ekzaminimit në IPSh ‘CT Scaner’, pacienti ishte transferuar në Klinikën Emergjente të QKUK-së, nga ekipi i Mjekësisë Urgjente të Prishtinës, shoqëruar nga një mjek specialist i Anesteziologjisë me Reanimacion i institucionit privat ku ishte kryer ekzaminimi”, thuhet në njoftim.

Inspektorati ka thënë se me të arritur në QKUK ka marrë deklaratat e mjekëve të ndërrimit, sipas të cilëve, “kur pacienti kishte arritur (i transferuar aty, ishte pa shenja jete dhe përkundër reanimimit kardio-pulmonor të ekipit të emergjencës, për rreth dy orë, nuk kishte mbijetuar”.

Inspektorati Shëndetësor ka thënë se vazhdon hetimet për rastin dhe se shpejt do të hartojë një raport përfundimtar rreth gjetjeve të inspektimit në këtë rast.