Kronikë

Nis seanca në shkallën e dytë për rastin “Pronto” pa përfaqësues të Prokurororisë së Shtetit

Foto: Alban Bujari / KD

Në Gjykatën e Apelit në Prishtinë, sot ka nisur seanca për rastin e njohur si “Pronto”, por nga Prokuroria e Shtetit nuk është paraqitur askush.

Në gjykim janë të pranishëm vetëm një pjesë e të akuzuarve dhe avokatët e tyre.

Ndryshe nga gjykimet në shkallën e parë, në Apel prania e palëve nuk është e obligueshme. Në seancë ftohen të gjithë, por mungesa e tyre nuk e shpien në dështimin e seancës.

Ndërkohë, dy gjyqtarë të trupit gjykues që po e trajtojnë këtë rast, kanë treguar e se njërin nga të akuzuarit e njohin privatisht. 

Burim Ademi, i cili është gjyqtar raportues në këtë rast ka thënë se me të akuzuarin Sadat Gashi kanë banuar në një vendbanim. Për këtë, siç ka deklaruar ai, e ka njoftuar edhe kryetarin e Gjykatës së Apelit. 

Gjyqtari tjetër, Ferit Osmani, ka thënë po ashtu se e njeh të akuzuarin Gashi, pasi sipas tij, ka një lidhje përmes bashkëshortes së tij. Të dy kanë thënë se këto rrethana nuk lidhen me ato që kërkojnë përjashtimin e trupit gjykues. Gjyqtari Osmani ka thënë se për këtë arsye, do të ishte e rrugës që edhe Prokurori i Apelit të ishte në seancë që të deklarohej për këtë rrethanë.

Zakonisht në seanca të shkallës së dytë nga prokuroria merr pjesë prokurori i rastit dhe një përfaqesues i Prokurorisë së Apelit.

Për këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë i liroi si të pafajshëm 11 të akuzuarit në rastin “Pronto”, mirëpo tash çështja ka kalar në shkallën e dytë.

Adem Grabovci, Zenun Pajaziti, Besim Beqaj e 8 të tjerë ishin liruar nga akuzat për “Shkelje e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”.

Aktgjykimi lirues ishte shpallur në janar të këtij viti, por trupit gjykues të udhëhequr nga Shashivar Hoti i ishin dashur dy muaj kohë që ta përpilonte atë.