Arbëri

Mitrovica rrit sigurinë në liqenin e Suhadollit në mënyrë që qytetarët ta shfrytëzojnë atë gjatë verës

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) në Komunën e Mitrovicës, kryesuar nga drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Musa Dragaj, ka diskutuar lidhur me sensibilizimin për rrezikshmërinë gjatë qëndrimit në liqenin artificial të Suhadollit dhe për përgatitjet e sezonit veror dhe masat mbrojtëse nga zjarri.

Në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësues të inspkecionit komunal, policisë së Kosovës, FSK-së, zjarrfikësve, institucioneve tjera, OJQ-ve etj.

Pjesëmarrësit në takim vlerësuan njëzëri se liqeni artificial në Suhadoll, është një atraksion i vërtetë dhe se ofron mundësi të jashtëzakonshme për pushim e rekreacion të qytetarëve.

Mirëpo, të pranishmit në takim vlerësuan po ashtu se uji i akumuluar në liqe paraqet rrezik për qytetarët që duan të shfrytëzojnë atë për larje për shkak se është i ftohtë dhe për shkak të thellësisë që arrin deri në tri metra.

Mu për këtë arsye, anëtarët e KKSB-së konkluduan se me qëllim të evitimit të këtyre rreziqeve, është i domosdoshëm angazhimi dhe mobilizimi i të gjithë faktorëve për sensibilizimin e qytetarëve për këto rreziqe dhe për krijimin e kushteve optimale për shfrytëzimin e liqenit nga ana e qytetarëve pa pas frikë se do të jenë të rrezikuar.

Në këtë drejtim, u tha se është e domosdoshme botimi i një fletushke informuese, vendosja e shenjave informuese, angazhimi tërë ditor i zhytësve profesionist, prania e policisë së Kosovës në hapësirat përreth liqenit aq sa është e mundur.

Përveç kësaj, anëtarët e KKSB-së folën edhe për sigurinë në trafik, duke vlerësuar se tani gjatë sezonit veror qarkullimi i automjeteve shtohet dukshëm edhe për faktin se bashkatdhetarët tanë që jetojnë jashtë vendit, vijnë për pushime.

Lidhur me këtë, anëtarët e KKSB-së kërkuan nga institucionet komunale dhe Policia e Kosovës që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të pas rend në trafik dhe për të evituar rreziqet për këmbësorë dhe pjesëmarrës në komunikacion.

Ndërsa nga qytetarët u kërkua që të kenë të kujdesshëm dhe të respektojnë shenjat e komunikacionit dhe ligjin, si dhe të shfrytëzojnë për parkim të automjeteve vetëm në hapësirat e dedikuara për këtë, që tani, sipas Komunës, ka mjaft në qytetin e Mitrovicës.

Sa u përket përgatitjeve institucionale për sezonin veror dhe masat për mbrojtje nga zjarri, u konstatua se ato kanë filluar me kohë dhe janë bërë ashtu si duhet.

Mirëpo, pjesëmarrësit e takimit u dakorduan se mungon numri i mjaftueshëm i zjarrfikësve, prandaj shtruan nevojën e gjetjes së mundësisë për shtimin e numrit të tyre, por edhe të mundësive tjera të bashkëpunimit me qëllim që në rastet eventuale, beteja me zjarrin të fitohet në mënyrë efikase dhe më lehtë.

Për të pas sukses në këtë drejtim, u tha se duhet të bashkërenditen aktivitetet ndërmjet institucioneve komunale, zjarrfikësve, policisë së Kosovës, përfaqësuesve të Agjencionit të pyjeve, si dhe të bëhet sensibilizimi i qytetarëve për rrezikun nga zjarri, që të jenë të kujdesshëm gjatë përdorimit të mjeteve ndezëse dhe që të angazhohen domosdoshmërish për shuarjen në rastet kur ato ndodhin në rrethin e tyre.