Arbëri

Komuna e Drenasit arkëton rreth 300 mijë euro të qirasë së Parkut të Biznesit

Komuna e Drenasit do të duhej të arkëtonte mjete nga qiraja e Parkut të Biznesit që nga viti 2010, në bazë të Memorandumit të Mirëkuptimit të lidhur ne mes të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe Komunës së Drenasit. Memorandumi parasheh që 70% e të hyrave nga qiraja nga Parku i Biznesit t’i takojnë Komunës së Drenasit si të hyra vetjake, ndërsa 30% Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) për kryerjen e komunalive, të cilat fillimisht derdhen në llogarinë e MTI-së.

Deri me ardhjen e kryetarit Ramiz Lladrovci në krye të komunës së Drenasit, nuk janë arkëtuar këto mjete, thuhet në një njoftim të kësaj komune.

Me marrjen e mandatit dhe informimit lidhur me ketë çështje, kryetari Lladrovci ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme dhe komuna e Drenasit arkëton rreth 300 mijë euro në llogarinë e saj nga MTI-ja, për pjesën e saj të papaguar nga viti 2010 deri me 30.06.2017, mbi shfrytëzimin e pronës komunale, të cilat mjete do të përdoren për përmirësimin e infrastrukturës në komunën e Drenasit.

Komuna e Drenasit do të vazhdojë të arkëtojë të hyrat që i takojnë, me të vetmin qëllim përmirësimin e jetës së qytetareve të saj, në të njëjtën kohë duke motivuar dhe lehtësuar bizneset që veprojnë në komunën e Drenasit, për të operuar në pajtim me ligjin.

Po ashtu, komuna e Drenasit do të ndërmarrë të gjitha veprimet e parapara ligjore për çdo pengesë në arkëtimin e të hyrave të saj nga ana e MTI-së.