Arbëri

Komuna e Ferizajt pagoi bizneset pa lidhur kontratë

Komuna e Ferizajt ka punësuar 40 mësimdhënës në arsim pa procedura të rekrutimit (pa shpallje publike), duke anashkaluar plotësisht kërkesat ligjore. Punësimi i tyre ishte bërë me vendim të Kryetarit, i cili ishte bazuar në rekomandimin e Drejtorit i Arsimit.

Kjo gjetje është evidentuar në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për pasqyrat financiare të Komunës së Ferizajt për vitin 2017.

Sipas Ligjit të Punës, Neni 8, punëdhënësi në sektorin publik, është i obliguar që të shpall konkurs publik sa herë që pranon një punëtor dhe themelon një marrëdhënie të punës.

“Konkursi duhet të jetë i barabartë për të gjithë kandidatët e synuar, pa asnjë lloj diskriminimi, ashtu siç parashihet me këtë ligj dhe aktet tjera në fuqi”, thuhet në raport, raporton “Kallxo.com”.

Sipas raportit të auditimit, komuna e Ferizajt ka paguar dhe raportuar gabimisht shpenzimet për mallra dhe shërbime në vlerë 434 mijë e 732 euro nga kategoria e investimeve kapitale.

Shpenzimet në vlerë 434 mijë e 732 euro, të cilat për nga natyra i kanë takuar mallrave dhe shërbimeve, mirëpo janë paguar dhe raportuar gabimisht nga kategoria e investimeve kapitale.

Komuna Ferizajt ka dhënë me qira prona komunale për shfrytëzim të përkohshëm, mirëpo, nuk ka arritur të inkasojë të hyrat në përputhje me kontraktimin për to.

Obligimet konktraktuale për vetëm tetë qiramarrës, të cilët ishin mostër për këtë raport ishin 123 mijë e 016 euro, derisa pagesat e realizuara për ta ishin 27 mijë e 718 euro ose vetëm 23%.

Komuna kishte marrë vendim për shkëputje të kontratës vetëm për njërin qiramarrës, derisa për shtatë të tjerë nuk ka ndërmarrë asnjë masë.

Në raportin e Zyrës Kombëtare për komunën e Ferizajt është evidentuar edhe tejkalimi i vlerës së kontratës në raport me kornizën buxhetore për projekte.

Nga testimi i procedurave të prokurimit të tenderit për ndërtimin e shkollës se mesme në Ferizaj, kontratë tri vjeçare, nr. 175 e dt.20.11.2017 në vlerë 1,803,727 euro, nuk ishte respektuar korniza buxhetore për projekte kapitale. Sipas kornizës buxhetore për projekte kapitale vlera e përcaktuar për ketë projekt për tri vite ishte 570 mijë euro, me diferencë 1,233,726 euro.

Po ashtu komuna e Ferizajt ka bërë pagesën e faturave duke e shfrytëzuar buxhetin e projekteve tjera. Auditori ka identifikuar dy projekte ku komuna ka shfrytëzuar mjetet nga projektet e tjera për kryerjen e obligimeve.

Pagesa në vlerë 25 mijë e 862 euro për “Riparimin e rrjetit të kanalizimit fekal” ishte realizuar nga projekti “Asfaltimi i rrugës në Zllatar” dhe pagesa në vlerë 37 mijë e 512 euro për “Kanalizim në fsh. Dermjak” ishte realizuar nga projekti “Rregullimi i qendrës se qytetit faza e dytë”.

“Ne nuk kemi vërejtur ndonjë vendim nga Kuvendi Komunal për aprovimin e ndryshimeve në buxhet”, thuhet në raport.

Një e gjetje tjetër e auditorit është edhe pagesa jashtë llogarisë së operatorit kontraktues nga ana e komunës së Ferizajt. Auditori ka vërejtur tri pagesa ku komuna nuk kishte realizuar pagesat në llogaritë e Operatoreve Ekonomik (OE) më të cilët kishte kontratë.

Te projekti “Asfaltimi i rrugës në Rakaj” në vlerë 76 mijë 367 euro, projekti “Asfaltimi i rrugës Milan Shuflaj” në vlerë 30 mijë euro dhe projekti “Ndërtimi i shtigjeve për biçikleta” në vlerë 84 mijë e 855 euro.

Kjo ishte bërë në bazë të një marrëveshje në mes OE që kishin kontratë më Komunën dhe OE-ve tjerë që nuk kishin kontratë me komunën.

“Pagesa e faturës nga ana e komunës OE-ve për te cilët nuk ka kontratë mund të ketë rrezik që punëkryesi të ju shmanget obligimeve tatimore”, theksohet në raport.