Arbëri

Në Mitrovicë po realizohen 25 projekte kapitale

Në shumë pjesë të qytetit të Mitrovicës me rrethinë janë duke u realizuar 25 projekte kapitale, vlera e të cilave arrin shumën disa milionë euro, që janë siguruar nga buxheti komunal dhe ai qeveritar.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri me bashkëpunëtorë, siç raporton KsP, ka inspektuar nga afër punët në realizimin e pothuajse të gjitha këtyre projekteve.

Ai bëri vërejtje serioze në punët e disa projekteve dhe kërkoi nga punëkryesit që ato të përmirësohen, si dhe t’u përmbahen saktësisht afateve të parapara me kontratë.

“Nuk do të lejoj në asnjë mënyrë shmangie nga projekti. Kushdo që tenton ta bëj këtë, do ta dëmtoj vetveten, sepse nuk ka zyrtarë në Komunë që do të guxoj të nënshkruaj diçka që nuk përputhet në tërësi me kushtet e kontratës”, ka thënë Bahtiri

Punimet në ndërtimin dhe asfaltimin e rrugëve janë duke u zhvilluar në pjesë të ndryshme të Mitrovicës, pastaj në fshatrat Zasellë, Rahovë, Frashër, Suhadoll, Vidimriq, Bajgorë (nëpër lagje) si dhe në rrugën Melenicë-Maxherë-Dedi-Batahir-Bistricë, Stantërg, ndërsa në realizim e sipër nëpër shumë lagje të qytetit janë edhe ndërtimi i kanalizimit fekal, ndërtimi i kanalizimit atmosferik, debllokomi i kanalizimeve, ndërrimi i gypave të ujësjellësit prej betoni me gypa PVC etj.