Arbëri

Peja u bën vend edhe nxënësve të rajonit për t’u regjistruar në shkollat profesionale

Numri i përgjithshëm prej 2 mijë e 75 nxënësve, i planifikuar nga Drejtoria e Arsimit për regjistrim në klasat e dhjeta në gjashtë shkollat e mesme të Pejës, është më i lartë sesa numri i semimaturantëve të gjitha shkollave fillore të Pejës, 1 mijë e 480, sa ju kanë nënshtruan para dhjetë ditë testit të arritshmërisë.

Dallimi prej 595 vendeve të planifikuara për regjistrim më shumë, sipas drejtorit të Arsimit në Pejë, Besim Avdimetaj, janë të rezervuar për ndonjë përsëritës, por kryesisht siç thotë ai janë të rezervuara për nxënësit e komunave të tjera në rajonin e Pejës, shkruan sot “Koha Ditore”. Këto vende të lira sipas tij janë për regjistrim vetëm në drejtime në shkollat profesionale.

“Kemi planifikuar që së paku 10 për qind të vendeve për regjistrim në klasat e dhjeta në shkollat profesionale t’u ofrohen nxënësve të komunave të tjera të këtij rajoni, në të cilat nuk ka profile të ngjashme që janë në shkollat e mesme profesionale të Pejës. Munden me qenë edhe më shumë se 10 për qind. Jemi të gatshëm që deri në 500 apo 600 nxënës të komunave tjera të rajonit tonë t’i regjistrojmë në shkollat tona të mesme profesionale”, thotë drejtori i Arsimit në Pejë.