Arbëri

Fillon asfaltimi i rrugës “Muharrem Domi”, që lidhë Gjakovën me Çabratin

Kanë nisur sot punimet për ndërtimin dhe asfaltimin e rrugës “Muharrem Domi”, një rrugë tjetër e re e cila po i shtohet infrastrukturës së përgjithshme rrugore në komunën e Gjakovës.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se kjo rrugë ndodhet në një pikë specifike dhe ka një rëndësi të veçantë, për faktin se e lidhë pjesën e qytetit me kodrën e Çabratit, duke e bërë kështu një rrugë alternative të këtij destinacioni.

Rruga që nis tek objekti i Fakultetit të Edukimit dhe përfundon në afërsi të objektit fetar “Tyrbja e Çabratit”, ka një gjatësi prej rreth 400 metrash, gjerësi prej 6 metrash si dhe në të dy anët ka trotuare me gjerësi prej 2 metrash, transmeton Koha.net. Krahas kësaj, investim shtesë është edhe muri mbrojtës në gjatësi prej 200 metrash, kjo për shkak të terrenit specifik me rrëshqitje të dheut.

Gjithashtu thuhet se i tërë projekti ka kushtuar në vlerë prej 120 mijë euro, mjete këto të siguruara nga projekti DEMOS, ndërsa sipas planit dinamik, punimet pritet të përfundojnë në afatin prej 40 ditë pune.

Në ditën e parë të punimeve, në këtë rrugë ka qëndruar edhe kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, e cila pos inspektimit të punimeve edhe është takuar me disa prej banorëve të lagjes. Ajo ka thënë se kjo rrugë e re është mjaft e rëndësishme jo vetëm për banorët e lagjes por për të banorët e Gjakovës.

“Kjo rrugë ka pasur problem të shumta jo vetëm me lëvizjen, por edhe me rrjedhjen e ujërave atmosferikë, prandaj është mirë që me asfaltimin e saj po bëhet një zgjidhje e përhershme. Me këtë investim po përmbyllet një periudhë shumë e vështirë e banorëve të kësaj lagjeje dhe ballafaqimeve me problemet e deritashme”, ka thënë Kusari – Lila.

Ndërtimit dhe asfaltimit të rrugës i janë gëzuar edhe banorët e lagjes, të cilët kanë thënë se deri me tani kanë vuajtur shumë nga pluhuri dhe balta që i ka shoqëruar gjatë tërë kohës.